Fluturon “Saranda” pas tre javësh rikuperimi, drejtori i qendrës së rehabilitimit të shpendëve jep lajmin e mirë

Pacienti i parë i Qendrës së Rikuperimit të Shpendëve, vendosur në bashkinë e Divjakës në lagunën e Karavastasë, fluturoi e lirë pas 3 javësh rikuperimi nën kujdesin e stafit të specializuar.

Bëhet fjalë për zogun hutë, që mori emrin Saranda, pasi u gjet aty i plagosur nga një dashamirës i natyrës. Personi që nuk është identifikuar, u lidh menjëherë me Ardian Koçin që menaxhon tashmë qendrën e rikuperimit në Divjakë, dhe për tre javë, u kurua dhe rikuperua aty.

Sot, vetë drejtori i qendrës, hapi portën e kafazit dhe Saranda u nis në fluturim. “Falemnderit të gjithëve” ishin fjalët e drejtorit Koçi, ndërkohë që në ceremoninë e parë të këtij lloji, morën pjesë fëmijet e Junior Rangers të Parkut kombëtar Divjakë – Karavasta dhe përfaqësues të UNDP Albania që kanë financuar këtë qendër.