Bulevardi i ri i Sarandës, një investim mes kundërshtive dhe punimeve “alla shqiptarçe”

Kanë qenë jo të pakta ndërhyrjet që Sarandës i kanë shkatërruar identitetin e vet, duke e shndërruar atë në sytë e banorëve, duke humbur çdo gjurmë të kujtimeve të fëmijërisë për banorët e dikurshëm të saj, që në rikthim e kanë të vështirë të përjetojnë kujtimet. Fytyra e re e qytetit ku kanë kaluar pjesën e parë të jetës së tyre, ku krijuan kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës tashmë nuk ekziston më. Ndryshimet jo përherë janë të domosdoshme dhe më së shumti janë vështirë të pranueshme.

E njohur si Perla e Jugut të Shqipërisë Saranda ka tërhequr përherë një numër të lartë turistësh dhe vizitorësh. E bekuar me bukuri natyrore, një plazh të pastër e ujëra të kthjellët ajo është destinacioni kryesor gjatë verës. Shëtitorja e gjatë, e vendosur përgjatë vijës bregdetare, në zemër të qytetit, është ndërtuar në 45 dhe në është zgjeruar në 79. Ajo ka qenë një ndër veçantitë e qytetit jugor. Ajo ka ngjallur përherë zilinë e vizitorëve dhe turistëve vendas që e ndienin mungesën e një shëtitoreje të tillë në qytetet e tyre.

Ajo që e bën atë të veçantë nuk është vetëm afërsia me detin, por mbi të gjitha mungesa e qarkullimit të automjeteve dhe fakti që një shëtitore e tillë, me gjatësi të konsiderueshme, është e gjitha, dedikuar këmbësorëve.

Projekti i Bulevardit të Sarandës.

Projekti më i fundit i qeverisë shqiptare vendosi në fokusin e vet pikërisht këtë shëtitore të lakmuar nga shumëkush. Debatet dhe kundërshtitë ishin të pranishme edhe në këtë rast. Një pjesë e banorëve të vjetër të qytetit nuk shfaqën thjesht skepticizëm, por edhe zemërim ndaj një ndërhyrjeje të tillë, që sipas tyre do t’i japë goditjen përfundimtare identitetit të dikurshëm të Sarandës që në vite është transformuar deri në tjetërsim.

Projekti i prezantuar edhe nga vetë kryeministri Rama ofronte një Sarandë moderne, por larg asaj tradicionale, të pëlqyer aq shumë nga turistët e huaj pikërisht për shkak të origjinalitetit të vet.

Bulevardi i ri i Sarandës, projekti që ndeshi kundërshtitë e banorëve

Shëtitorja e Sarandës është unikale dhe nuk ka një të dytë në Shqipëri e ndoshta edhe më gjerë. Gjatë sezonit turistik, ajo është në top listën e shëtitoreve më të vizituara të Shqipërisë. Bulevardi i ri i qytetit që do të emërtohet Bulevardi “Naim Frashëri” përfshin pikën kyçe të zonës turistike të qytetit dhe parashikohet të transformohet në një hapësirë multifunksionale. Sipas prezantimit të projektit, synohet ruajtja e identitetit të qytetit, gjurmëve historike dhe kulturore të tij.

Ndërhyrja në shëtitoren aktuale u argumentua me nevojën e shtimit të hapësirës, si një përgjigje ndaj mbipopullimit gjatë verës dhe kërkesës në rritje për shërbime dhe hapësira.

Projekti synon të integrojë në infrastrukturën ekzistuese urbane elementë që përmirësojnë peizazhin urban, lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe krijojnë hapësira të dedikuara për aktivitete të ndryshme.

Bulevardi i ri parashikon të ketë një shtrirje më të madhe të hapësirave publike dhe këmbësore. Disa funksione dhe aktivitete propozohen të shtohen përgjatë shëtitores, për ta bërë atë më dinamike.

Sipas projektit, në zonën perëndimore të shëtitores propozohen zona sportive dhe rekreative, siç është rasti i pishinës publike, e cila ka të gjithë potencialin për t’u shndërruar në qendër aktivitetesh sportive ujore. Po ashtu, te ish- fabrika e miellit parashikohet të ndërtohet një kinema verore dhe një qendër kulturore.

Për ata që preferojnë biçikletën, parashikohet krijimi i një korsie të veçuar përgjatë rrugës “Jonianët”, dhe më pas si një hapësirë e përbashkët në brendësi të shëtitores.

Teksa po punohet për ndërtimin e bulevardit buzë bregdetit jonian. Foto: Brikena Metaj

Pikat e informacionit do të jenë të shpërndara në fillim dhe në fund të shëtitores në shërbim të turistëve.

Tregu ekzistues i kioskave me suvenirë do të ripozicionohet, ndërkohë që janë propozuar disa hapësira publike me funksione të ndryshme si:

Pishina publike në Perëndim dhe një pikë panoramike në Lindje, pajisja e plazheve me dushe publike, funksione shtesë të përfshira në kopshtet e tarracuara (Babylon Garden Park) të zhvilluara në pjesën qendrore, shkallaret në ujë në pjesën perëndimore, etj.

Ruajtja e identitetit të qytetit ka qenë kryefjala e shqetësimit qytetar pas prezantimit të këtij projekti, në të cilin theksohet se është kujdesur të mos preket dhe cenohet identiteti i qytetit. Për këtë arsye projekti synon rivitalizimin e zonës që sarandiotët e njohin si shëtitorja “Hasan Tahsini”. Në këtë zonë ka aktualisht gjurmë rrënojash antike si “Porta e hyrjes së Onhezmit” e tjetërsuar ndër vite për shkak të erozionit dhe mungesës së vëmendjes, rrënojat romake dhe gjurmët e mureve të Kështjellës së Onhezmit.

Projekti “Rigjenerimi urban i shëtitores ekzistuese “Naim Frashëri” është një financim i Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore. Projekti për rivitalizimin e shëtitores buzë detit në Sarandë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për përmirësimin e infrastrukturës në bashkitë Sarandë, Gjirokastër, Berat, Përmet.

Projekti hasi në kundërshtimet e hapura të banorëve që nisën protestat prej muajit nëntor 2019, kur nisën punimet për bulevardin. Ndonëse ishte premtuar se deti dhe plazhi nuk do të prekeshin, në realitet nuk ndodhi kështu. Shqetësimi i parë i banorëve lidhej me ngritjen e kantierit të ndërtimit në plazhin historik të Sarandës, atë të Centralit. Me një letër drejtuar Bashkisë së Sarandës, qytetarët kërkuan zhvendosjen e kantierit të ndërtimit nga bregu i detit. Sipas tyre, ngritja e një kantieri mbi një shtrat natyror rëre e shkatërron plotësisht atë.

Punimet patën disa ndërprerje duke sjellë edhe shtyrjen e afatit të përfundimit të tyre. Punimet e para për ngritjen e kantierit kanë nisur në tetorin e vitit 2019. Ato u ndërprenë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, dhe rinisën sërish në muajin mars. Situata e pandemisë dhe kushtet e karantinimit risollën ndërprerjen e punimeve që rifilluan në muajin maj.

Kompania “Fusha” ka fituar tenderin 4.7 milionë euro për shëtitoren e Sarandës. Dy kompanitë e tjera që ishin në garë “Arifaj” dhe “Gjikuria” janë skualifikuar.

I pyetur në lidhje me punimet në bulevard, kryebashkiaku Gurma shton se “Ka pasur jo pak diskutime dhe kundërshti që lidhen me vazhdimin e investimit apo ndërprerjen e tij në sezon. Kompania zbatuese dhe FSHZH janë për të vazhduar puna pa u ndërprerë, me një sezon të vetëm, megjithëse projekti ndahet në dy lote”.

Rreth 20 biznese, të cilat shtrijnë veprimtarinë e tyre përgjatë pjesës kryesore ku kryhen punimet kanë protestuar duke kërkuar ndalimin e punimeve në sezon.

“Punimet kanë pezulluar totalisht aktivitetin dhe do të duhen dy sezone intensive për të mbuluar humbjet e këtij viti. Ne kemi kërkuar edhe më herët nga bashkia të merren masat e duhura për rifillimin e punës këtë sezon të vështirë”, shprehet Armando Magllara, administrator i kompleksit Magllara.

Rruga e Flamurit në qytetin e Sarandës duket e boshatisur, ndërsa po punohet për ndërtimin e shëtitores. Foto: Brikena Metaj

Nga ana tjetër, Bashkia e Sarandës pohon se ka kërkuar mirëkuptim të biznesit për këtë sakrificë që u duhet të bëjnë. Ndërsa lidhur me konsultimet me grupet specifike të interesit qe preken nga punimet, Bashkia shprehet se nuk janë bërë pasi investimi nuk është i Bashkisë.

Megjithatë, kemi qenë të hapur në përcjelljen e informacioneve që disponojmë përmes mediave dhe në ofrimin e zgjidhjeve në dobi të tyre. I vetmi akses që Bashkia ka për investimin, ka qenë në organizimin e dëgjesave publike, gjatë të cilave janë parashtruar kërkesa për korrektim detajesh, që në vijimësi i janë përcjellë investitorit”, thuhet në përgjigjen e bashkisë për Portën Vendore.

Kur specialistët flasin…

Luan Sejdini tashmë ka dalë në pension, por ai është një njohës i mirë i historisë, pasurive arkeologjike të qytetit dhe jo vetëm. Ashtu si të gjithë sarandiotët edhe ai i ndjek me kureshtje dhe vëmendje punimet në bulevardin e ri. Shqetësimi kryesor i tij janë pasuritë arkeologjike në territorin ku do të kryhen punimet. Luani njihet si një njeri optimist dhe kjo ndjenjë nuk i mungon as në këtë rast. Për të, punimet në këtë bulevard “ishin të domosdoshme”. “Çdo sakrificë i paraprin të ardhmes”, shprehet ai për Porta Vendore. Ajo që e gëzon Luanin është fakti se rrënojat arkeologjike nuk preken dhe mbeten jashtë influencës ndërtimore. Por ajo që e shqetëson më së shumti është fakti se “koha e punimeve nuk është e duhura duke patur një ndikim të madh negativ në turizëm”.

“Edhe pse vlerat arkitekturore preken disi, e rëndësishme është të ruhet konfiguracioni në formën e një teatri natyror që ka Saranda. Duhet pasur kujdes që të ruhet si është, por me ndryshimet moderne që nuk e dëmtojnë nga ana vizuale”, shprehet Sejdini.

Pavarësisht optimizmit të vet, Sejdini nuk mund t’i përgjigjet me “Jo” pyetjes se “A dëmtohet identiteti urban i Sarandës me këto punime?”

“Identiteti dëmtohet përkohësisht”, thotë ai. “Por ndërhyrjet kërkojnë sakrificë për qytetin, për ta bërë më të vizualizuar pamjen”, shton ai.

Por një mendim krejt të kundërt ndan një prej inxhinierëve më të vjetër të qytetit, një ndër projektuesit e Sarandës së viteve ’70. Ndonëse folëm gjatë, ai nuk pranoi të përmendej në shkrim, ndaj do ta quajmë thjesht inxhinieri.

“Saranda dhe e gjithë Shqipëria nuk kanë luksin për rikonstruksione vend e pa vend, por për shtrirje. Unë kam nostalgji për Sarandën e vjetër dhe jam partizan i ruajtjes së saj”, thotë ai, duke shprehur keqardhjen se askush nuk i ka thirrur, atë dhe specialistët e vjetër të qytetit, për t’u konsultuar apo për t’u kërkuar mendim. “Punimet janë jocilësore dhe ka shumë papërgjegjshmëri në zbatimin e projektit. Bashkia Sarandë ka një sërë rrugësh të paasfaltuara, sidomos rurale. Ndaj ajo që është domosdoshmëri është përmirësimi i infrastrukturës e më pas bulevardi”, shton inxhinieri. Ai tregon se në sirtarët e bashkisë ekziston një projekt i hershëm për zgjerimin e shëtitores, prej fundit të shëtitores aktuale (nga Gjoni) deri në Çukë. “Zbatimi i këtij projekti, që përfshinte pjesën e paprekur, do të ishte i mjaftueshëm për Sarandën që nuk ka nevojë për rikonstruksion, por zhvillim urbanistik të shëtitores”, thotë ai.

“Punime allashqiptarçe”, mbyll sot dhe hap nesër

Nuk është një risi për qytetarët shqiptarë që rrugët e asfaltuara sot, të rishqepen nesër, apo që sot të hidhet beton dhe nesër të hiqet prapë sepse diçka, me qëllim apo jo, është harruar të bëhet. E kështu, tender pas tenderash, punime pas punimesh, rrugët tona janë të gjitha me arna dhe një projekt bëhet e ribëhet disa herë. E nuk kish se si t’i shpëtonte këtij kalvari tradite edhe bulevardi i Sarandës. Mesi i muajit maj shënoi edhe hedhjen e betonit në një pjesë të bulevardit për t’i hapur rrugë shtrimit të pllakave. Por çudia ndodhi. Punimet u detyruan të bëjnë një kthim mbrapa, pasi poshtë betonit “ishte harruar” të shtroheshin kanalizimet e ujërave. Dhe të duhet fare pak të kujtosh se çdo vit me nisjen e reshjeve, Saranda përmbytet nga ujërat e zeza e të bardha. “Rruga e flamurit”, e fundit e rikonstruktuar në qytet, u përmbyt nga ujërat që me shiun e parë fill pas inaugurimit, pikërisht për mungesë të kryerjes së punimeve të duhura të kanalizimeve të ujërave.

Sot në Sarandë po rivendosen tuba me një diametër më të madh nga ai që u përdor fillimisht, i pamjaftueshëm për një qytet që në stinën e verës dhjetëfishon numrin e banorëve.

Pipo Çabiri është një prej biznesmenëve sarandiotë që ka ngritur zërin me të madhe mbi situatën e menaxhimit të ujërave të zeza edhe gjatë punimeve të bulevardit. Sipas tij, ujërat e zeza vijojnë të derdhen në det dhe nuk janë futur në rrjetin e ri. “Katastrofë ekologjike” e cilëson ai derdhjen masive të ujërave të Sarandës në detin e Jonit. Sipas tij kanali i vjetër i ujërave të zeza nuk është lidhur me kanalizimet e reja duke vazhduar kështu derdhjen e ujërave në det.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, thotë se punimet e filluara më 4 mars 2020 dhe të ndërprera për shkak të pandemisë, po ecin me ritme të mira. “Janë përgatitur platformat e betonit dhe një pjesë e tyre janë zhytur në det duke krijuar gjerësinë e re të shëtitores. Deri tani janë betonuar 150 platforma (kesona). Ndërkohë vazhdon mbushja me material shkëmbor, për zgjerimin në fund të shëtitores. Kanë nisur punimet edhe për vendosjen e tubit 800 mm të ujërave të zeza, shtesë e kanalizimit ekzistues. Pritet të fillojë edhe vendosja e tubacionit për ujin e pijshëm”, nënvizoi Gurma.

Për kryebashkiakun Gurma, pas përfundimit shëtitorja e Sarandës do të ketë plotësisht pamjen dhe parametrat e një Lungomareje.

Punimet në shëtitoren e Sarandës nisën në tetor 2019. Afati i përfundimit të punimeve është 14 muaj dhe kostoja 4.7 milionë euro. Punimet për bulevardin e ri të Sarandës janë planifikuar të përfundojnë krejtësisht në majin e vitit 2021, ndërsa më herët ishin premtuar në qershorin e 2020 –ës.

Një minishëtitore për Sarandën e verës 2020

Duke qenë se përdorimi i bulevardit nuk do të jetë i mundur gjatë këtij sezoni, Bashkia e Sarandës është duke punuar për një plan të ri masash, për të lidhur të dyja pjesët e qytetit dhe për të siguruar rrugë alternative kryesisht për këmbësorët.

“Investimi prej 5.7 miliard lekësh i qeverisë së Shqipërisë në bashkëpunim me BB, është një investim 14-mujor çka do të bëjë që bulevardi të mos jetë i aksesueshëm gjatë këtij sezoni, por gjithsesi duke qenë një investim afatgjatë në çdo periudhë të vitit ai nuk do të mund të aksesohej. Jemi shpresëplotë se me ritmet e punës nga operatori i kontraktuar do të bëjë të mundur që bulevardi të jetë i hapur vitin tjetër”, tha kryebashkiaku i Sarandës.

Por ndërsa sezoni trokiti, Bashkia e Sarandës u kujdes të mendojë për një zgjidhje efikase që nuk do të cenojë plotësisht traditën e sarandiotëve për xhiron e darkës. Për këtë arsye ajo ka ofruar një zgjidhje alternative. Duke nisur nga pasditja e 5 qershorit, pedonalja e Rrugës së Flamurit është bërë e aksesueshme për këmbësorët “në mënyrë që edhe punimet të vazhdojnë, edhe qyteti të jetë i vizitueshëm, i kalueshëm dhe atraktiv si për banorët edhe për vizitorët e pushuesit” thuhet në sqarimin e bashkisë për Portën Vendore.

Pedonalja e “Rrugës së Flamurit” tashmë do të jetë e bllokuar çdo ditë si për qarkullimin dhe për parkimin e automjeteve, në një fashë orare prej orës 17:00 deri përtej mesnatës. Për këtë zgjidhje alternative është kërkuar mirëkuptim dhe mbështetje, pasi mundëson frekuentimin e qytetit e njëkohësisht garanton vijimësinë e punimeve për projektin rehabilitues të shëtitores.

Bulevardi i transformimeve

Historia e bulevardit të Sarandës ka ndryshuar disa herë brenda disa viteve duke transformuar pamjen e tij fillestare. Në fillim të viteve 2000 nis një shtesë bulevardi në shëtitoren mbi liman. Objektivi kryesor i kësaj shtese ishte transformimi i saj në plazh. U hapën disa dalje me shkallë hekuri në det dhe disa kupa të mëdha betoni që prisnin dallgët. Pasi nuk rezultoi efikas, ajo u shndërrua në shitore, ku gjatë sezonit veror tregtarët ambulantë sarandiotë, por edhe shumë të ardhur që nga Maqedonia dhe Kosova, tregtonin produktet e tyre kryesisht artizanale.

Në fund të kësaj shitoreje, për pothuajse një dekadë e gjysmë, funksionoi një glob i qelqtë. Ai u vendos në qendër të shëtitores në vitin 2005, pikërisht gjatë fushatës elektorale. Qëllimi fillestar i tij ishte funksionimi si një zyrë turistike për qytetin, por me kalimin e kohës ai u shndërrua në librari dhe një pikë shitjeje suveniresh.

Ishte viti 2016 kur përgjatë shëtitores u vendosën disa skulptura mermeri të punuara nga skulptorë të huaj dhe vendas. “Prerja e Artë e Detit”, “Ëndrra”, “Afërdita”, “Delfinët”, “Pulëbardhat” dhe “Dallga” ishin skulpturat që përgjatë këtyre viteve qëndruan në shëtitoren e Sarandës.

Mbushja e bregut me zhavorr përgjatë shëtitores “Hasan Tahsini” dhe kthimi i saj në plazh të aksesueshëm, ndërsa shtrati i vet natyral ishte me shkëmbinj, është një tjetër ndryshim që i shtohet listës së transformimeve.

Projekti më i fundit do të shndërrojë tërësisht pamjen e Sarandës së deritanishme. Nëse kërkoni gjurmë të Sarandës së fillimviteve të krijimit të qytetit, vështirë se do t’i gjeni..ndoshta vetëm nëpër foto të zbardhura nga koha. (Porta Vendore)