Vrau fqinjin në Gjirokastër, Jano Koleta mbetet në burg, ja dëshmitë e familjarëve të viktimës

Ka dalë sot para Gjykatës së Gjirokastrës për tu njohur me masën e sigurisë 67-vjeçari Jano Koleta, i akuzuar për vrasjen e fqinjit të tij Andrea Xhavarra.

“Arrest me burg” vendosi gjykata ndaj tij, duke bërë që të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Pavarësisht kërkesës së avokatit për një masë më të butë sigurie, për shkak se Koleta është i sëmurë, provat kundër të moshuarit, e kanë bindur gjyqtaren që ta lërë pas hekurave.

Gruaja e të dyshuarit, e cila rezulton edhe kryetare e fshatit Labovë ku ndodhi krimi, ndihmoi të shoqin për të fshehur ngjarjen.

Djali i viktimës duke folur për mediat se fqinji i dyshuar për krimin ishte problematik.

Ai ka treguar se sherri dhe vrasja ka ndodhur në mes të fshatit Labovë.

“Konfliktet kanë nisur më herët, pasi ai që e vrau problematik ka qenë gjithmonë, me të gjithë. Gjithçka ka ndodhur për ndarjen e kullotave të bagëtive. Babai ndodhet në morg tani”, ka thënë i riu.

Pas ndalimit nga policia Koleta i tha hetuesve se nuk ka dashur ta vrasë bashkëfshatarin dhe se e kishte goditur me gur në sherr e sipër. Por 60-vjeçari Andrea Xhavarra ka humbur ndjenjat dhe më pas ka ndërruar jetë.

“Nisëm të debatonim dhe e qëllova me në këmbë, por ai u rrëzua dhe u përplas tek një shtyllë druri. Aty nisi ti rridhte gjak. Kur ra në tokë i iku gjuha. U përpoqa t’i nxirrja gjuhën, por mbaroi. Në gjendje paniku nuk di nga u largova. Nuk doja ta vrisja”, ka thënë Jano Koleta.