Vijojnë punimet për ujësjellësin e Delvinës, përfitojnë 9 800 banorë
Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri tha sot se po vijojnë punimet për ujësjellësin Delvinës që synon të garantojë 24 orë ujë të pijshëm për 9.800 banorë, si dhe modernizimin e sistemeve të ujësjellësit.
Bashkia Delvinë vazhdon punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do t’u sigurojë furnizimin me ujë pa ndërprerje banorëve të kësaj bashkie.
Punimet përfshijnë investimin në burimin kryesor të furnizimit me ujë, në Vriz, vendosjen e sistemit SCADA, po ashtu do të vendoset një rrjet i ri shpërndarjeje prej 11,4 km, do të kryhet lidhja me rrjetin e ujësjellësit për 1900 familje si dhe do të vendosen 1 mijë ujëmatësa, vendosja e linjës kryesore të pompimit prej 1,6 km, si dhe rezervuari i ri prej 900 m3.
Investimi parashikohet të përmbyllet në nëntor 2020, në kuadër të Programit Infrastruktura Bashkiake IV, financim i Qeverisë gjermane / KfW Qeverisë zvicerane /SECO dhe Qeverisë shqiptare.