SONDAZHI/ Bashkia Delvinë, ndër më të mirat për shërbimet ndaj qytetarëve
Qytetarët e bashkive të Poliçanit, Roskovecit, Shijakut, Dropullit, Skraparit, Delvinës, Tepelenës, Pukës, Maliqit dhe Belshit janë më të kënaqurit me shërbimet që ofron pushteti vendor në një anketë që Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD realizoi me qëllim testimin se si reforma administrative ka ndikuar në shërbimet komunitare.
Ndërkohë qytetarët e bashkive Vorë, Rrogozhinë, Durrës, Himarë, Ura Vajgurore, Malësi e Madhe, Memaliaj, Kavajë, Pustec dhe Klos janë më pak të kënaqur me shërbimet vendore, duke i renditur bashkitë tyre në dhjetëshen më të dobët në vend.
Në 10 bashkitë që zënë vendin e parë për ofrimin e shërbimeve, anketa ka gjetur se niveli i kënaqësisë ndaj shërbimeve arrin nga 75-81 për qind, duke e renditur Bashkinë e Poliçanit të parën në shkallë vendi.
Ndërsa më dobët u vlerësua bashkia Klos ku niveli i kënaqësisë ndaj shërbimeve u vlejti vetëm për 51% të qytetarëve të anketuar.
Anketa e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD tregon se vlerësimet e bashkive lidhur me kënaqësinë ndaj shërbimeve shkojnë nga intervali “mesatar”, për 10 bashkitë më të dobëta, në “mirë” për 10 bashkitë e vlerësuara më lart.
Anketa është e publikuar një ditë më parë dhe ka të gjitha të dhënat e saj nga puna në terren e anketuesve.