Saranda turistike 2020, pas eksperimentit 3 ditë pa ujë, shkon te furnizimi me autobote …

Dy vite më parë, Drejtori i Ujësjellësit të Sarandës, Sheme Lula, deklaroi se i ka lënë banorët edhe 3 ditë pa ujë dhe askush nuk e ka telefonuar.

Ai pranoi se kishte bërë një eksperiment për të parë reagimin e banorëve, deklaratë e cila shkaktoi irritimin e banorëve. Por, disa vite më pas, e njëjta situatë është me ujin e pijshëm në Sarandë.

Në krye të Ujësjellësit të Sarandës është i njëjti drejtor që bëri këtë deklaratë. Dhe, i njëjti, dy vite më pas, do e furnizojë Sarandën në vitin 2020 me ujë të pijshëm me autobote!

Fiks Fare siguroi dokumentet e një tenderi që ka bërë ky drejtor, me vlerë rreth 20 milionë lekë të vjetra. Objekti i tenderit është “furnizimi me ujë me botë në periudhën e verës për familjarët për zonat e shërbimit Sarandë, Ksamil, Gjashtë dhe Metoq.

Pra, Saranda turistike do të furnizohet në vitin 2020 me ujë me autobote. Në dokumente thuhet se autobotet duhet t’i përgjigjen njoftimit për realizimin e furnizimit me ujë të familjarit në zonën e shërbimit dhe brenda 6 orëve do të marrë shërbim! Gjatë kësaj kohe, familjet do t’i kenë sytë nga qielli.

Gazetarët e Fiks Fare pyetën disa banorë të Sarandës të cilët thanë se situata e ujit të pijshëm ka qenë shumë problem vitin e kaluar. “Aktualisht ka furnizim me orare” thotë një banorë, ndërkohë që tjetër pohon se “ngrihem që në 3 të mëngjesit për të mbushur ujë”.

Pra, një nga qytetet që ka me bollëk ujë të pijshëm, i cili buron nga Syri i Kaltër dhe formon lumin Bistrica, bën tender që banorët të furnizohen me ujë të pijshëm me autobote.

Për këtë problematikë, Fiks Fare pyeti në drejtorin teknik të Ujësjellësit të Sarandës, Kostaq Koca, i cili pranoi se vitin e kaluar situata ka qenë shumë e keqe. Ai pohoi se problem ishte edhe zona e Ksamilit, pasi në atë zonë u shtuan në mënyrë të menjëhershme rreth 2500 shtretër.

“Ujësjellësi e pati të pamundur që të furnizonte me ujë këto shërbime” thotë ai, ndërsa pranon se zonat problematike janë ato që janë tenderuar, 1 lagje në Ksamil, lagja Gjashtë në Sarandë edhe fshati Metoq.

Thotë se edhe një pjesë e Sarandës ka vështirësi në furnizim me ujë, për shkak se janë dy lloje ujësjellës, një me pompë dhe tjetri me rrjedhje të lirë.

“Pikërisht ai me rrjedhje të lirë vitin e kaluat pati probleme” thotë Koca. Dhe, nisur nga situata e vjetshme, Ujësjellësi i parapriu gjërat duke vendosur të bëjë këtë tender për furnizimin me autobote.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *