OFL u kërkon pasurinë, që nga “Dosja Lazarati”, grabitjet e 97′ deri te spiuni i “SHISH”, kush janë “të fortët”?

Operacioni Forca e Ligjit ditën e sotme ka dërguar formularin e deklarimit të pasurisë, 5 të dënuarve për vepra të rënda penale.

Ata janë: Krenar Skënduli, Gentian Sinomema, Adriatik Kanushi, Endrik Lluka, Ervis Canka

Po cilët janë “të fortët” e përfshirë në këto vepra të rënda penale?

-Enrik Lluka,  u bë i njohur për policinë shqiptare pasi në mars të 2016 në kthesën e fshatit Andon Poçi në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Shtëpëz, ka vrarë kusheririn e tij Dorian Lluka, 29-vjeç dhe ka plagosur vellain e viktimes Bilbil Llukën, 31 vjeç. Një ngjarje e rëndë e cila mesa duket e kishte zanafillën tek një borxh 500 mijë lekësh mes kushërinjve. Për këtë ngjarje të rëndë ai u dënua në mungesë nga gjykata me 35 vjet burg.

-Ervis Canka, do të kthehej në një problem për policinë pasi kishte gjetur “kycin” për të zhvilluar aktivitetin e tij në trafikun e drogës. Në mars të 2016, në aksin Tepelenë-Përmet, Canka do të arrestohej, në bazë të një operacioni të policisë së Gjirokastrës. Asokohe 30-vjeçar, Canka u kap duke transportuar 5 kilogramë heroinë dhe 10 kg kanabis sativa. Nga verifikimet e policisë së atëhershme do të rezultonte se ai ishte informator i SHISH, ose e thënë ndryshe në zhargonin e përditshëm, spiun i Shërbimit Informativ të Shtetit. Pra, teksa Canka paguhej nga SHISH-i në këmbim të informacioneve për narkotrafikët apo të tjera trafiqe ilegale, ai e keqpërdorte këtë marrëveshje të ligjshme për të zgjeruar “biznesin”. Në fakt, Canka e kishte një biznes dhe bëhej fjalë për një kompani udhëtimesh drejt Greqisë.

-Për Adriatik Kanushin, i dënuar me 11 vite burg për grabitje,  prokuroria e Gjirokastrës do të arrinte të mbylte dosjen ndaj tij vetëm në Dhjetor të  2008. Institucioni i akuzës do të rihapte çështjet më të forta që i kishin shkaktuar plagën më të madhe shoqërisë, një pjesë e e mirë e të cilave të ndodhura në vitet 1997-1999. Adriatik Kanushi së bashku me Refat kanushin dhe në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, në rrugën nacionale Gjirokastër – Ballsh në afërsi të fshatit Vasjar të rrethit Tepelenë, rreth orës 01:00, të mëngjesit, i kanë dalë përpara me maska dhe me armë një automjeti tip furgon nga qyteti i Përmetit, ku udhëtonin 3 shtetas nga Përmeti për në Tiranë. Por, përveç vjedhjes së një shume të konsiderueshme të hollash, nën kërcënimin e armëve tri grabitësit kanë ushtruar dhunë dhe i kanë torturuar udhëtarët për rreth katër orë me radhë, deri në zbardhjen e ditës, kohë në të cilën i kanë lënë më tej të lirë. Për këtë ngjarje u deshën plot nëntë vjet për të zbardhur.

-Gentian Sinomema, në datën 14.05.1999 rreth orës 01.00 në fshatin Iliras të Rrethit Tepelenë sëbashku me 3 persona të tjerë kanë shkuar në banesën e shtetasit Mehmet Kamberi me profesion tregtar. Ata pasi kanë trokitur në derë duke thënë “hape jemi policia” kanë hyrë brenda kanë keqtrajtuar shtetasin Mehmet Kamberi e kunatin e tij Kastriot Canaj dhe i kanë rrëmbyer e janë larguar nga ky fshat. Për 4 ditë familjarët e pengjeve kanë bërë përpjekje për të bërë shumën e liruar pengjet, por nuk kanë arritur të realizohet dhe ka qenë ndërhyrja e forcave speciale të policisë në datën 25.07.1999 që ka ndaluar rrëmbimin. Në shkëmbim zjarri me policinë janë vrarë 2 nga pengmarrësit, Afrim Muçi e Spartak Meta. Ndërkohë nuk dihet fati i pengut Mehmet Kamberi as sot e kësaj dite dhe ai është shpallur i humbur.

-Krenar Skënduli, do të skedohej në të famshme “Dosja Lazarati”, për të cilën u akuzuan plot 86 persona. Skënduli u akuzua si i përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Të pestë të dënuarit do të duhet të justifikojnë pasurinë e tyre brenda 48 orëve ndërsa do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë për ta.