OFL sërish në Gjirokastër, ja kujt ia ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– Mario Selamaj, banues në Kuçovë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim;
– Kastriot Jahupi, banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të cilësive të veçanta”;
– Qerim Rabaj, banues në Gjirokastër, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.