Maturiantja sarandiote: Abstrakt testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë
Një mesazh pa përgjigje i është dërguar ditën e enjte ministres së arsimit, Besa Shahini nga një maturante e Sarandës.
E përgatiti mesazhin, e nisi në adresë të ministres por nuk mori përgjigje. Maturantja, emrin e të cilës duam ta lemë anonim, ishte tepër e qartë në atë çfarë i kish shkruar ministres, duke arritur deri atje duke e quajtur “abstrakt testin e gjuhës shqipe dhe Letërsisë”.
Në mesazhin e maturantes nga Saranda, mesazh ky që mbeti pa asnjë reagim shkruhet:
“Përshëndetje zonja ministre,
Me gjithë respektin për ju, dua të adresoj një çështje shumë të padrejtë për gjithë maturantët.
Sot,datë 11.06.2020 maturantët në gjithë Shqipërinë ndoqën testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, një test abstrakt, i pa parë në vitet me parë, komplet i ndryshëm nga modeli që ju nisët dhe i një shkalle vështirësie mbi mesatarin. Mendoj se e dini shumë mirë se çfarë ka kaluar populli shqiptar këto kohë… që nga tërmeti shkatërrimtar dhe pandemia vdekjeprurëse siç ju e keni thënë vetë.
Me aq sa kemi patur mundësi kemi bërë më të mirën tonë të përgatiteshim dhe të mësonim për provimet e maturës, nën stresin e tërmetit dhe të karantinës, ku mësimi online dhe videot në RTSH apo dhe kthimi në shkolla kanë qenë një mbulesë për të justifikuar faktin e zhvillimit të provimeve.
Megjithatë dhe pse këto ishin tentativa pa sukses sepse maturantët nuk mësuan asgjë, përsëri u munduam vetë me kurse dhe me studime të mësonim sa më shumë për çdo provim.
Mezi i prisnim modelet e testeve që do na nisnit, që të kishim një bazë ku të përqëndroheshim. Testi sot ishte një tallje e madhe. Një strukturë komplet ndryshe nga testet më parë, pa tekste të mirëfillta, por me pyetje për gjetje tezash pa patur tekste ku të bazoheshe, me dy tekste letrare të dyja në vargje, që bie në kontraditë me çdo formulin që stafi juaj ka kryer më parë.
Më vjen keq dhe turp që vendoset e ardhmja e nxënësve në duart e të paaftëve që nuk dinë të hartojnë teza. Përpos stresit që kemi mbajtur në krah, shpresonim që të paktën të ishte një test i nivelit mesatar ndoshta dhe pak më i thjeshtë ose të paktën si testet që kanë rënë ndër vite, por pamë(dhe me konstatimin e mësuesve) që ky ishte një nga testet më të veshtirë që ka rënë në historinë e maturave.
Shpresoj të rrini e qetë duke qenë se jemi stresuar në për ju, prindërit tanë dhe mësuesit, që u munduan të na përgatisnin sa më mirë. Shpresoj që t’i bëni dhe me të veshtira testet që vijnë, që të na i tregoni mirë sesa të palogjikshëm mund të tregoheni me një brez që kaloi shumë peripeci.
Faleminderit”, përfundon mesazhi i maturantes nga Saranda, mesazh ky që u lexua por nuk pati asnjë reagim.