Marrëveshja mes Athinës dhe Tiranës rikthen shtegtimin e punëtorëve sezonalë drejt Greqisë
Prej 15 majit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, mesatarisht çdo ditë kalojnë 10 autobusë me punëtorë sezonale nga zona të ndryshme të Shqipërisë që udhëtojnë drejt Greqisë, për të punuar në bujqësi.
Sipas kritereve të vendosura për transportin e tyre, autobusët kanë një numër të reduktuar udhëtarësh me qëllim respektimin e distancës dhe pasagjerët janë të pajisur me maska e doreza.
“Nga 15 maji çdo ditë nisen 7-8 autobusë,” tha përfaqësuesi i njërës prej kompanive të transportit, i cili shpjegoi se ka punëtorë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë por kryesisht nga zona e Elbasanit, Librazhdit e Pogradecit.
“Punëtorët shkojnë në Edesa, Veria, Janica, Katerini dhe së fundmi edhe në Larisa,” tha ai dhe shtoi se “deri tani kanë udhëtuar të paktën 1000 vetë me kompaninë tonë dhe numri vazhdon të rritet.”
Punëtorët sezonalë në agrikulturë u lejuan të parët të udhëtojnë mes dy vendeve pas bllokimit të kufijve për shkak të epidemisë së COVID-19, pas një marrëveshje të arritur në fillim të majit nga Athina dhe Tirana zyrtare.
Dhjetë mijë shqiptarë parashikohet se do të përfitojnë nga kjo marrëveshje që hapi rrugën për një punësim të përkohshëm dhe të ardhurat jetike që ai sjell për familjet shqiptare, ndërsa kufijtë mes dy vendeve pritet të hapen plotësisht me 15 qershor.
Në 2 maj, kur edhe u arrit marrëveshja për punëtorët sezonalë, Bashkia Devoll nisi regjistrimin për punëkërkuesit sezonalë dhe vetën nga këtë njësi administrative 1200 persona u regjistruan.
“Sapo u arrit marrëveshja ne nisëm procedurat tona për të evidentuar punëkërkuesit,” shpjegoi kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro. “Duke qenë një bashki kufitare punësimi i këtyre personave ka qenë dhe vazhdon të jetë i përvitshëm”, shtoi ai.
Duro theksoi se për shumicën e familjeve në bashkinë që drejton të ardhurat vijnë nga emigracioni, ndërsa theksoi se këtë vit emigrantët mund të ishin më të sigurt.
“Ajo që këtë vit është ndryshe dhe ndoshta shumë positive për këta punëtorë është se kështu janë më të sigurt dhe kjo lloj kontrate që kanë u jep mundësinë e qëndrimit me çdo të drejtë ligjore për një afat që caktohet nga punëdhënësi i tyre,” tha drejtuesi i njësisë së qeverisjes vendore.
“Pra nëse duhet të qëndrojnë më gjatë se tre muaj sepse pronari ka më shumë punë ata nuk penalizohen,” shtoi ai.
Shumica e punëtorëve që po kalonin të shtunën në pikën kufitare të Kapshticës ishin gjithashtu të përvitshëm në të njëjtin shtegtim drejt fermave në Greqi dhe disa shqetësoheshin se kishin humbur ndërkohë disa ditë pune, të cilat është e vështirë t’i kompesojnë në të ardhurat e tyre vjetore.
“Duhet të kishim ikur disa javë më përpara dhe kjo na i shkaktoi disa humbje,” tha Feti Jesku.
Ai nënvizoi se puna në Greqi është e vështirë, por më e vështirë është pa punë e pa asnjë të ardhur.
“Nuk di sa vite mu bënë që punoj kështu, por në qytetin tim s’kam gjetur asnjë mundësi, as unë as gruaja e as fëmijët,” shpjegoi Fetiu.
Mesatarisht një punëtor sezonal përgjatë këtyre viteve është paguar 25 euro në ditë dhe punëdhënësit u kanë siguruar strehimin e në disa raste edhe ushqimin. Ata shpresojnë se këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 do të paguhen të paktën 30 euro për ditë pune, kjo edhe për shkak se shumë ditë u ikën dëm këtë sezon.
“Kam 15 vite që shkoj për të mbledhur qershitë dhe pjeshkët dhe 4 vitet e fundit marr edhe bashkëshorten,” tha Agim Leka nga Librazhdi.
“Paguhemi 25 euro në ditë dhe kjo ka qenë e vetmja zgjidhje për vite të tëra”, shtoi Leka.
Ai dhe bashkëshortja e tij u nisën drej Edesës për të disatin vit radhazi. Në shtëpi kanë lënë dy djemtë e rritur të cilët janë të papunë.
“Nga virusi kemi frikë, por edhe pa punë s’mund të rrimë,” shpjegoi Leka.
Fqinji jugor, Greqia është vendi që punëson tradicionalisht numrin më të madh të punonjësve sezonalë nga Shqipëria. Megjithatë, një pjesë punojnë në vendet e tjera të rajonit dhe të tjerë – falë lëvizjes së lirë përmes pasaportës biometrike, edhe në vende të Bashkimit Europian.
Në të njëjtën ditë me Agimin dhe bashkëshorten e tij, një grup të rinjsh studentë të infermierisë ishin duke pritur në territorin kufitar që tu vinte radha për t’u kontrolluar nga autoritetet e për të vazhduar rrugëtimin drejt Greqisë. Ata thanë se puna sezonale ishte e vetmja mundësi që të mund të paguanin për studimet e tyre.
“Familja ime nuk i përballon dot shpenzimet për universitetin dhe unë prej tre vitesh shkoj punoj në Veria. Më duhet që të lë disa provime pasi sezoni qëllon në periudhën që edhe andej nis puna, por nuk kisha mënyrë tjetër,” tregoi Genti Panci nga fshati Vërdovë i Pogradecit.
“Studioj për infermieri dhe po e bëj këtë sakrificë që të iki përfundimisht jashtë, ndoshta në Gjermani”, shtoi ai.
Së bashku me 5 shokë të tjerë Panci prej disa vitesh është bërë pjesë e krahut të punës në sektorin bujqësor të Greqisë ku të ardhurat janë të kënaqshme krahasur me vendin tonë.
Të rinjtë që shihen nëpër autobusë janë të shumtë. Mirel Kurti ka jetuar në Greqi dhe familja e tij u kthye – ashtu si mijëra familje emigrantësh që nuk mundën të vazhdojnë qëndrimin e tyre gjatë krizës greke, e pavarësisht kësaj ai vazhdon të shkojë në Greqi për të punuar.
“Nuk kam pasur asnjë alternativë tjetër këtu ndaj andej fola me punëdhënësin dhe ai më bëri dokumentet që të shkoj të punoj,” tha Kurti. “Nga koronavirusi jam disi i shqetësuar se nuk e di as çfarë analizash do të na bëjnë, do të na mbajnë në karantinë apo jo, se di fare për këto,” shtoi ai.
Njësoj si ai edhe Hanife Braja, 23 vjeç, prej dy vitesh ka gjetur punën sezonale në Greqi si mundësinë e vetme për të siguruar diçka për veten e saj dhe familjen.
“Kam motrën andej dhe punëdhënësi i saj kërkonte më shumë punëtorë vjet,” shpjegoi ajo. “Shkova unë vitin e kaluar dhe këtë vit më kërkoi të shkoj përsëri,” shtoi e reja nga Librazhdi.
Marrëveshja e arritur mes dy vendeve dhe nevojat në vendin fqinj për punëtorë lehtësoi në një farë mënyre shumë prej atyre të cilët kalonin kufirin mes peripecish për t’u punësuar përkohësisht në plantacionet e zonave bujqësore të Greqisë. Prej vitesh ata përfitonin nga mundësia e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe qëndrimi i lejuar për një periudhë tremujore.
Shpesh fenomeni i njohur i punës sezonale kthehej në një barrierë për këta persona gjatë kalimit të kufirit për shkak se autoritetet kufitare duke e njohur këtë proces u kërkonin udhëtarëve që të përmbushnin kritere të Schengenit – si fleta e garancisë, vlera monetare në bazë të ditëve të qëndrimit e të ngjashme.
Punëtorët thanë thanë se ishin të kënaqur prej marrëveshjes midis dy qeverive pasi kështu nuk ishin të detyruar të gënjenin në kufi.
“Është më mirë që tani kalojmë në kufi dhe e themi pa frikë që po shkojmë për punë. Nga nevoja detyroheshim të deklaronim që po shkonim tek të afërmit apo për pushime,” tha Gergji Liçi nga Durrësi, ndërsa nënvizoi se “gjithmonë me frikë kemi qenë.”
“Kam 20 vjet që shkoj për të punuar andej, herë me viza punë e herë me pasaporta, si të më jetë dhënë mundësia,” përfundoi ai.