Klosi: Në fillim të javës tjetër çarterat e parë me turistë në Shqipëri
“Në fillim të javës tjetër do të fillojnë dhe çarterat e parë të cilët janë dedikuar për turizëm nga vendet të cilat ne tashmë kemi një marrëdhënie bilaterale”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë mbledhjes së Task Forcës së Turizmit i cili zhvilloi takimin e parë për këtë vit, në ambientet e Manastirit ‘Fjetja e Shën Mërisë’ në Parku Arkeologjik Kombëtar Apoloni, në fokus të së cilit ishin masat e marra dhe ecuria e turizmit gjatë këtij sezoni turistik të ndikuar nga COVID-19.
Me pjesëmarrjen e tour operatorëve dhe hotelierëve, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti bënë të ditur detaje nga paketa e përbashkët turistike me kosto të ulët.
Ndonëse një vit i vështirë për shkak të pandemisë, Klosi shprehu besimin se “në qoftë se ne ofrojmë rregulla në plazhe, garantojmë higjienë, garantojmë mbrojtje nga pandemia, mund t’ia dalim që të kemi një sezon të pranueshëm turistik edhe në 2020-ën”.
Në fjalën e tij, Klosi tha se edhe pse po përballemi me pandeminë sikurse e gjithë bota, duhet të bashkëpunojmë jo vetëm për Fierin si destinacion turistik, por edhe për një fushatë të madhe për të vizituar Shqipërinë turistike nga turistët vendas dhe të huaj.
“Duke qenë të parët që hapëm edhe kufijtë dhe duke promovuar Shqipërinë turistike në rajon, duhet të përfitojmë një turizëm rajonal u cili ka qenë jo aty ku duhet duke menduar që kemi shumë më tepër, duhet të afrojmë turizëm për vëllezërit tanë të Kosovës, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetësit kryesorë të turizmit të huaj që vinin në Shqipëri, por po ashtu me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Bullgarinë, Turqinë për të qenë më rajonal dhe me një ofertë të re turistike”, tha ministri.
Gjithashtu, ministri Klosi u ndal edhe në sistemin e ri të menaxhimit të vijës bregdetare duke përmbushur një nga kërkesat e vet komunitetit të hotelierëve, të operatorëve tanë turistikë si një nga prioritetet e menaxhimit të ekonomisë së jetës sonë.
Ai tha se vija bregdetare, një pasuri e jashtëzakonshme që ne kemi, duhet mirëmenaxhuar që të prodhojë më shumë para në radhë të parë për Bashkinë dhe nëpërmjet këtyre parave plazhi të pastrohet dhe të mirëmbahet më mirë si dhe të rritet siguria në plazhet tona.
“Së bashku me Bashkitë kemi monitoruar të gjithë vijën tonë edhe në kuadër të luftës së përhapjes së pandemisë, por dhe në kuadër të masave që duhet zbatuar për higjienën, plazhet tona duhet të administrohen shumë më mirë, që të sigurojnë drejt për së drejti dy problem të mëdha që ka patur gjithmonë plazhi, higjienën dhe vendosja e ruajtësve të plazhit, tha ai.
“Parimet e ndarjes së re të plazheve bregdetare dhe nga 400 km vijë bregdetare që bregu shqiptar ka, vetëm 10 deri 12% e saj shfrytëzohet, prandaj kemi hapësira të mëdha pa fund të cilat i kemi akoma si ofertë të re për turizmin për t’u zhvilluar bregu shqiptar, por që s’mund të lejohet që të vazhdojë të zhvillohet dhe menaxhohet pa asnjë kriter”, deklaroi Klosi.
Ai tha se “së bashku me forcat e ruajtjes së rendit, me inspektoriatet e ndryshme të qarkut të Fierit nën drejtimin e Prefektit do të ndërmarrim një situatë shumë më të kontrolluar të plazheve tona për të pasur mundësi që ndarja e plazheve të realizohet mbi dy parime. Parimin e administrimit nga operatorët turistikë dhe Bashkia të jetë përfituese e drejt për drejt e të ardhurave që mblidhen nga plazhet. Dhe e dyta parimi kryesor, tha Klosi është ruajtja e mos përhapjes së pandemisë në plazh dhe sigurimin nëpërmjet këtij menaxhimi të higjienës dhe të sigurisë.
Ai tha se “skema e re është realizuar dhe në plazhet e Divjakës dhe të Fierit ku kemi bërë një ndarje sipas vendimit të bashkisë se kë kemi përcaktuar zonë të gjelbër, zonë e cila do të jetë në plazhe e përcaktuar si plazh për publikun, pra si plazh që nuk do të lejohet të vendosen shezllon edhe çadra, zonë e cila do të jetë për qytetarët e tjerë që vijnë dhe duan të bëjnë plazh në mënyrën e tyre pa qenë të detyruar që të shkojnë te shezlloni dhe të paguajnë çadrën dhe zona e cila konsiderohet si zonë për t’u menaxhuar është ndarë në parcela të cilat do t’i ofrohen atyre”.
Gjithashtu, Klosi tha se kemi edhe një përmirësim të jashtëzakonshëm sa i përket sigurisë në plazhe.” Padyshim kemi përmirësim të jashtëzakonshëm, kemi ulur me 3 herë numrin e jetëve të humbura në plazhet shqiptare, por këtë vit duhet të jetë shumë më i sofistikuar”.
Klosi apeloi edhe për pastrimin e plazheve duke shtuar se “kemi nevojë që të bëjmë një operacion të madh pastrimi për të shkuar në korrik dhe gusht në një sezon intensiv më të stabilizuar”.