Kadastra Vlorës, konfliktet për pronat në bregdet e kanë kthyer postin në një vend që nuk e do askush

Jurgen Pilkapi, i cili më herët ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë, u prezantua të martën si drejtuesi i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë.

Pilkapi, i cili është drejtuesi i 8 i emëruar apo komanduar në këtë zyrë, e mori postin nga zëvendësdrejtoresha Viola Hima e cila u komandua vetëm për pak ditë si drejtuese, ndërsa më herët zyra drejtohej nga Bilbil Aliaj, i cili dha dorëheqjen.

Dorëheqja e Aliajt ishte e 6-ta për këtë zyrë e cila duhet të menaxhojë konfliktet për pronat në zonën e bregdetit.

Zyrtarisht Aliaj është larguar për arsye personale, motiv që ështëë dhënë edhe nga ish-drejtues të tjerë.

Më herët BIRN gjeti se arsyeja për dorëheqjen e 4 drejtuesve të ASHK-së në Vlorë ishte mosregjistrimi i vendimit të Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në të cilën ndodhe disko e njohur Folie Marine.

Që prej 8 shtatorit 2019 deri në 6 tetor dhanë dorëheqjen apo u larguan Drejtori Florian Alimadhi, ish-drejtori dhe më pas nëndrejtori Klodian Troci, juristi Alteo Nazëraj dhe drejtoresha Elona Hodaj (Kurti).

Taulant Canameti, i cili u komandua përkohësisht drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë, bëri rregjistrimin e vendimit të gjykatës dhe u zëvendësua nga Aliaj.

Ky i fundit dha dorëheqjen disa ditë më parë dhe fillimisht u zëvendësua nga zëvendës drejtoresha Viola Hima, ndërsa të martën u emërua Pilkapi.

Hima i tha BIRN se nuk ishte emëruar si drejtuese e institucionit, por ishe komanduar për të mos penguar vijimin e punës dhe se do të kthehej në pozicionin e mëparshëm.

“Pas dorëheqjes së drejtorit, m’u deleguan kompetencat që të mos bllokohej puna e institucionit. Vijoj të jem në zyrën time dhe do të vijoj të qëndroi në postin e zv/drejtorit.” – tha Hima.

Pilkapi ka mbajtur më herët postin e këshilltarit për teknologjinë dhe inovacionin në ministrinë e Drejtësisë.