Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj shkarkohet nga detyra
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimin e shkarkimit për Petrit Aliajn ditën e hënë pas një procesi të gjatë në të cilin Aliaj paraqiti disa raporte mjekësore për të shtyrë seancat ndërsa nuk u paraqit në seancën dëgjimore dhe nuk ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit.
Së paku një nga raportet e paraqitur nga Aliaj dyshohet se janë të falsifikuara.
Trupa në rastin e subjektit Aliaj kryesohej nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshi.
Petrit Aliaj e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtar në Delvinë dhe në Sarandë. Në vitin 2004, Aliaj u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.
Gjatë vitit 2005, Aliaj deklaroi se kishte punuar si avokat për kompanitë e vëllezërve Balili në Delvinë.
Pavarësisht trajektores së ndërlikuar të karrierës së tij, Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës.
Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.