Djegia e flamurit kombëtar në Sarandë, proteston PDIU

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar lidhur me provokimet që po shfaqen në jug të vendit, ku mbrëmjen e djeshme u dogj flamuri kombëtar Shqipëtar nga ekstremistë greke si dhe lajmi për krijimin e një formacioni ushtarak për aneksimin e jugut.

Përmes një njoftimi, PDIU shprehet se heshtja e kryeministrit flet shumë për nënshtrimin e politikës shqiptare ndaj shovinizmit fqinj.

Njoftimi i plotë

PDIU: Proteston fuqishëm për provokimet që po shfaqen në jug të vendit dhe heshtjen e autoriteteve shqiptare.
PDIU: Ftojmë organet e prokurorisë dhe SPAK të hetojnë mbi aktet e rënda që çojnë vendin në skenare shumë të rrezikshm dhe cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë.

Djegia e flamurit kombëtar të Shqipërisë nga ekstremistë greke dhe lajmi për krijimin e një formacioni ushtarak për aneksimin e jugut janë ngjarje të rënda e vepra penale të rënda dhe kërkojnë reagim zyrtar urgjent. Ndërkohë nga autoritetet shtetërore nuk ka asnjë prononcim për këto vepra të rënda që përdhosin simbolet kombëtare e cënojnë integritetin territorial të vendit.

Kryeministri shqiptar që betohej poshtë koshit të basketbollit, se do të ngrinte zërin për Çamërinë kur i kishte jetike votat e PDIU-së, sot mbyll sytë dhe hesht përballë provokimeve të shovinistëve fqinje.

Ju ka përmbushur atyre çdo kërkesë, nga mbushja e jugut me varret e ushtarëve pushtues, që i nderon me ceremonial shtetëror, heqja e vendlindjes për të moshuarit e Çamërisë, censusin e popullatës sipas kërkesave të Athinës zyrtare, nderimi i andartëve grekë që masakruan shqiptarët në jug, e që sot kanë buste në territorin e Republikës së Shqipërisë për turpin e të gjithëve në dënimin me heshtje e harrim që i bëri Çamërisë.

Heshtja e tij flet shumë për nënshtrimin e politikës shqiptare ndaj shovinizmit fqinj.
Ftojmë organet e prokurorisë dhe SPAK të hetojnë mbi këto akte të rënda që mund të çojnë vendin në skenare shumë të rrezikshme, e të cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë.

Ky është momenti kur minoritari grek i vë flakën flamurit shqiptar në mes të Sarandës

Posted by Sarandanews.com on Monday, June 15, 2020