Brajan Beshiku, bluzëbardhin e ardhshëm nga Saranda që mori vlerësimet nga Campus Francë

Krenari e familjes, shkollës, shokëve e shoqeve, i qytetit dhe i mësuesit, që punoi shumë me të

Brajan Beshiku, nuk është burrë, as gjimnazist por vetëm një nxënës, që sapo ka mbaruar klasën e nëntë në shkollën 9 vjeçare “9 Tetori”.

Një nxënës me shumë kërkesa në vetëvete që me mundim pa dhe ndjeu të mirat që do t’i vijnë nga dija. Një vlerësim nga Campus Francë, ku “Brajan Beshiku është i vetmi që kalon provimin nr.2 në doktoraturë me një kalueshmëri 100 për qind”, ndërsa më magjepsi se si një nxënës i klasës së nëntë të ketë këto rezultate, më nxiti për ta bërë pjesë të kronikës. Menjëherë pranoi, por nuk desh të ishte vetëm.

Donte të ishte me të edhe mësues Guri, mësuesi që e nxiti Brajanin të përcjellë më tej njohuritë e tij.Nuk vij nga një familje e arsimuar por dua që për vete të ndërtoj një të ardhme të ndritur, na tha Brajan, ndërsa falënderoi mësuesin e Biologjisë, Guri Tatari, për ndihmesën që i ka dhënë.

Në klasën e shtatë tek temat për mikrobiologjinë Brajani më ka mahnitur me përgjigjet e tij. Kjo më bëri që të kërkoja më shumë tek ai, diçka më nxiste për të menduar e besuar se Brajani kishte një të ardhme përpara dhe nuk u zhgënjeva, na tha mësues Guri Tatari.
Edhe pse jeta ime vetëm në Francë do të jetë e vështirë unë përsëri do ta përballoj, na thotë Brajan, pasi mendoj për të ardhmen time.

Në fletën përcjellëse të rezultateve nga Campus Francë shkruhet:“Brajan Beshiku është i vetmi që kalon provimin nr.2 në doktoraturë me një kalueshmëri 100 për qind. Meqenëse Brajan Beshiku ka kaluar të dyja provimet me rezultate maksimale 100 për qind ai fiton të drejtën e specializimit duke u bërë kështu studenti i parë në Shqipëri dhe Botë i cili ka fituar specializimin në këtë moshë.

Nëse Brajan Beshiku kalon provimet bazë të specializimit ai fiton të drejtën për të shkuar në Francë për të vazhduar studimet e mëtejshme në universitetet më të mira me të gjitha shpenzimet të mbuluara nga shteti francez”.