Bllokoi projektin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë: Largohet nga detyra drejtuesja e Komisionit të Prokurimit Publik

Bllokimi i projektit të tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë ka shkaktuar largimin nga detyra të kryetares së Komisionit të prokurimeve Publike Ervis Shurdha.

Zonja Shurdha dhe kolegët e saj të këtij institucioni prej 9 muajsh nuk po vendosnin se çfarë do të bëhej me tenderin mbi 20 milionë të këtij tuneli që duhet të ishte në kulmin e punës.

Historia e këtij tuneli i ka kushtuar largimin nga detyra edhe të ish-drejtores së Autoritetit Shtetëror të Rrugëve Sonila Qato ndërsa një seri padish penale janë depozituar në prokurori për këtë çështje.

ARRSH kishte shpallur fitues kompaninë me çmimin më të lartë duke skualifikuar rivalët, më pas përplasja është zhvendosur në Komisionin e

Prokurimeve Publike ku mesa duket lobimet dhe përplasjet politike ishin aq të forta sa e penguan për 9 muaj shpalljen e fituesit. Kjo solli edhe dorëheqjen e Kryetares së Komisionit të Prokurimit publik nga detyra.

Tashmë pritet zgjedhja e drejtuesit të radhës dhe më e rëndësishmja zhbllokimi i këtij projekti që i shërben më së shumti turizmit, sepse shkurton me më shumë se një orë kohën e udhëtimit drejt bregdetit të Sarandës.