Reforma zgjedhore, Alket Hyseni entuziast: Do të kemi një kompromis shumë shpejt

Këshilli Politik pritet të mblidhet ditën e sotme, ndërsa palët politike pritet të diskutojnë mbi reformën zgjedhore. Euronews Albania zhvilloi një bisedë me anëtarin e Partisë Socialiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Alket Hyseni.

Ai u shpreh besimplotë se palët politike do të arrijnë në një kompromis, i cili sipas tij do t’i hapte rrugë miratimit të ndryshimeve të pritura nga shqiptarët.

“E rëndësishme është të arrihet kompromisi. Afatet i kemi vendosur së bashku, kështu nuk është çështje afatesh, edhe pse jemi të kushtëzuar për disa të mira të Shqipërisë, prandaj janë vendosur edhe afatet. Nuk është e rëndësishme çështja e afateve, por e rëndësishme është që të thellohemi në aspekte që janë të rëndësishme, siç janë rekomandimet e OSBE-ODIHR, të cilat janë teknike dhe tepër të kuruara. Janë disa parime, që janë të panegociueshme sepse burojnë nga të drejtat themelore të njeriut dhe nga Kushtetuta. Brenda këtyre kornizave, besoj se do të kemi një kompromis shumë shpejt”, tha ai.

Anëtari i PS-së theksoi si kriteret kryesore janë departizimi dhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Sipas Hysenit, partitë politike nuk mund të lejohen të administrojnë më procesin zgjedhor.

Ai shtoi se administrimi i zgjedhjeve mund të bëhet nga mjekë, mësues, dhe nga persona të tjerë që ushtrojnë profesione të lira.

“Departizimi dhe depolitizmi nuk është thjesht një çështje teknike është një thirrje e shqiptarëve kundrejt partive politike, që për të kuptuar se ato nuk mund të jenë më ato subjekte që votohen dhe administrojnë rezultatin e zgjedhjeve. Nuk ka sens. Ka ardhur koha, sepse është thirrje e kohës. Në asistencë me partnerët ndërkombëtarë, administrata publike ka qenë në një reformë e thellë. Janë gati 100 mijë njerëz, dhe unë besoj se janë njerëz me integritet. Janë mësuesit, mjekët, profesionet e lira, janë njerëz vullnetarë që plotësojnë kushtet. Do të zgjidhen me short, ka disa mekanizma”, u shpreh ai.

Gjithashtu Hyseni tha se reforma zgjedhore ka në bazën e vet një vullnet të zgjeruar, pasi janë përfshirë aktorë të shumtë në këtë proces.

“Unë jam partizan dhe kam bërë disa studime se, vullneti është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Po punohet, dhe ne kemi dalë përtej parlamentit, dhe kemi krijuar një tryezë më të gjerë se parlamenti. Ky vullnet i shprehur në këto tryeza do të prodhojë pikërisht rezultatin e pritshëm. Edhe pas kësaj reforme nuk do të jetë gjithçka perfekt, por do të jemi shumë pranë perfektes”,  u shpreh ai.

Palët politike vijojnë të përplasen dhe të kenë ide të ndryshme për aplikimin e sistemit zgjedhor. Zoti Hyseni u shpreh se, çdo sistem ka mangësitë e veta, ndërsa shtoi se kryesorja është ruajtja e parimeve zgjedhore.

“Sistemet kanë të mirat dhe të këqijat e veta, asnjë sistem nuk është perfekt. Nuk duhet të ndalem në sistem danez, por dua të ndalem në një fakt se po ia lamë vullnetit të popullit, çdo produkt është produkt demokratik. Kemi aplikuar katër sisteme të ndryshme në këto 30 vite, të gjithë kanë qenë demokratike pavarësisht se si janë aplikuar. Ne duhet të ruajmë parimet zgjedhore. Shqipëria ka specifikat e saj dhe aplikim i sistemit ka lidhje me stadin e shoqërisë, mentalitetin dhe me stadin shoqëror. Shqipërisë i duhet një qeveri stabël dhe një qeveria që çon përpara reformat”, përfundoi ai.