Prokurori i Përgjithshëm i drejtpërdrejtë në Kuvend: Kemi rritje të kultivimit të kanabisit në Vlorë dhe Gjirokastër
Raportin e parë për kriminalitetin, Olsjan Çela e bëri në Kuvend përmes platformave online. Prokurori i Përgjithshëm, pranoi rritjen e kultivimit të kanabisit në disa qytete, në përgjigje të disa pyetjeve të Fatmir Xhafajt.
“Kemi vnë rë një rritje të narkotikëve, në Krujë në Vlorë, në Gjirokastër dhe Shkodra. Nga analizat që unë zhvillova në rrethe, ua kërkova prokurorëve që ti evidentonin ato që nuk janë evidentuar. Pra problemet reale, përse ne kemi trende në rritje”.
Kryeprokurori ngriti shqetësimin se vettingu po shkarkon gjithnjë e më shumë prokurorë, gjë që do të shkaktojë vonesa në hetime.
“Rezulton që për vitet në vijim do të jetë shumë e vështirë që nevojat për Prokuror të plotësohen në mënyrë adekuate nga prurjet e reja në shkollën e magjistraturës, që do të përkthehet në ngarkesë të shtuar të punës në prokurori, dhe kjo përkthehet më tej në zvarritje dhe vonesa në drejtësi”.
Raportimi, edhe pse në distancë shkoi rreth 3 orë, dhe i krijoi ish Ministrit të Brendshëm një përshtypje të rrallë.
“Më duhet të them që kisha kohë që nuk kisha dëgjuar një raport, një qasje të tillë nga Prokurorë të Përgjithshëm në Komisionin e Ligjeve”.
Por një propozim tjetër erdhi nga deputeti socialist, Adnor Shameti.
“Ndoshta ka ardhur momenti që ne si komision i ligjeve ti bënim një post-check, një kontroll të mëpasshëm, të atij legjislacioni, sepse shoh që në praktikë ka një ngërç dhe kur ndodh kjo, ne nuk mund të rrimë kurrsesi indiferent ndërkohë që “de jure” i kemi kryer detyrat e shtëpisë. Mangësi këto, që unë shoh në radhë të parë në konstituimin e trupës së Gjykatës së Lartë nga njëra anë, dhe të Gjykatës Kushtetuese nga ana tjetër”.
Mazhoranca edhe më herët ka premtuar të bëjë një bilanc të defekteve që janë hasur në praktikë gjatë zbatimit të Reformës në Drejtësi.