Prezantohej si polic, kush është “i rrezikshmi” i kapur me armë dhe kokainë në Tepelenë
Policia del me deklaratë lidhur me arrestimin e dy personave të cilët lëviznin me armë zjarri, thikë dhe kokainë në hyrje të Tepelenës.
Nga ana e uniformave blu gjatë paradites së sotme është bërë arrestimi i një 39-vjeçari i cili për t’iu shmangur kontrolleve, përdorte një emblemë të policisë, e cila u gjet në makinë.
Kapja e 39-vjeçarit u bë nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me FNSH Fier, në pikën e kontrollit në kufirin ndarës mes Tepelenës dhe Mallakastrës.
Efektivët e policisë në pikën e kontrollit në rrugën nacionale Tepelenë-Mallakastër, në afërsi të Liqenit të Krahësit, për ndarjen e zonave të gjelbra, gjatë kontrolleve të imtësishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, evidentuan dhe arrestuan në flagrancë 39-vjeçarin Bledi Haka, banues në Tiranë.
Nga kontrolli personal iu gjetën në trup doza me lëndë narkotike kokainë dhe nga kontrolli i automjetit që drejtonte ky shtetas u gjetën një armë zjarri pistoletë, një armë sportive, një thikë, një dorezë metalike dhe një emblemë e policisë.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bledi Haka, 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, po në vijim të veprimeve u bë edhe ndalimi i Rigert Çekani, 36 vjeç, banues në Tiranë, pronari i mjetit.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë ose sportive”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.