Prishja e ndërtimeve pa leje, aktivisti nga Saranda: Nuk është koha e duhur, duhen hetuar

Aktivisti, Adriatik Lapaj, komentoi në Euronews Albania aksionin që nis ditën e hënë për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet, duke theksuar se ndërtimet pa leje nuk mund të luftohen me fushata e propagandë.

“Unë e ndoqa deklaratën e kryeministrit. Mu duk një deklaratë që nuk i shkon për shtat ndërtimit të një shteti demokratik. Pse? E para njëherë unë besoj fort që ato ndërtime nuk duheshin lejuar në 2021-shin se janë ndërtime të bëra rishtazi. E dyta, shteti nuk funksionon me ultimatume publike por funksionon me dokumente, shkresa, njoftime dhe procedurë,” – u shpreh jurtisti Lapaj, teksa theksoi gjithashtu se ultimatumet që jep kryeministri nuk zhbëjnë veprën penale të atyre që ndërtojnë pa leje.

Ai tha se është pro prishjes së ndërtimeve pa leje, por jo duke shkatërruar ekonominë, aq më tepër në një moment kaq të papërshtatshëm siç është nisja e sezonit turistik.

Sipas Lapajt nisja e një organizimi shtetëror modern duhet të bëhet me forcimin e insititucioneve, pra edhe sa i takon ndërtimeve pa leje duhet të vijojë llogaridhënia dhe nuk mund që gjithçka të përfundojë me prishjen e tyre.