Operatorët turistikë të Vlorës kundërshtojnë draftin e ministrisë së Turizmit

Operatorët turistikë në qytetin e Vlorës janë mbledhur sot përgjatë shëtitores së “Lungomares” për të kundërshtuar draftin e propozuar nga Ministria e Turizmit për sezonin e ri turistik, i cili në këto ditë të ngrohta maji duhet të kishte filluar, por që është kushtëzuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Operatorët turistikë bëjnë me dije se nuk janë dakord me shumë nga pikat e draftit të propozuar nga ministria dhe për këtë arsye kanë depozituar pranë bashkisë, prefekturës dhe tatimeve propozimet e tyre.

Fasha orare është një ndër pikat që kundërshtohet më shumë nga operatorët turistike të qytetit të Vlorës, por edhe masa e distancimit që kërkohet në draftin e ministrisë së Turizmit.

Ata gjithashtu kërkojnë zerimin e taksave vjetore të lokaleve si dhe ndryshimin e tarifave për shfrytëzimin e hapësirave publike në shëtitore.

Sipas operatorëve turistikë, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, atëherë do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në pezullim të aktivitetit, pasi pretendojnë se fitimet do të jenë më të ulëta se shpenzimet.