Investim i rëndësishëm për Labërinë, kryhen 53% e punimeve në aksin Salari-Dukaj
Në jug të vendit po vijon puna për një rrugë të re. Bëhet fjalë për aksin Salari-Dukaj, Bashkia Tepelenë.
Deri më tani janë kryer rreth 53 % e punimeve, të cilat po vijojnë me ritme mjaft të mira.
Ka përfunduar hedhja e shtresës së çakullit në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe po vazhdon hedhja e shtreses se stabilizantit ne aksin Kthesa Salari-Salari.
Ndërkohë paralelisht po punohet dhe për ndërtimin e kalimeve, ku deri tani janë realizuar 20 kalime dhe janë në proces 3 të tjera. Si dhe për ndërtimin e mureve pritës dhe realizimin e drenazhimit me gjeotekstil.
Më parë ky aks i rëndësishëm i Labërisë ishte totalisht në gjendje të amortizuar, duke u kthyer në një pengesë serioze për lëvizjen e banorëve të zonës dhe transportit të produkteve.
Përtej impaktit të pritshëm afatgjatë në aspektin ekonomik, kjo rrugë do të sigurojë dhe një zgjidhje përfundimtare në drejtim të turizmit. Duke sugjeruar mundësitë për vizitorët prej bregdetit në qarkun e Vlorës e historisë në Gjirokastër.