I deleguari i PD për Sarandën: Opozita kërkon garanci për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve
Opozita kërkon nga reforma zgjedhore garanci, të cilat mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor pasi zgjedhjeve të fundit u ka munguar besueshmëria.
Kështu u shpreh anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli gjatë një interviste për Euronews Albania teksa foli për zhvillimet e fundit në Këshillin Politik.
“Këshilli Politik synon të gjejë marrëveshje politike për zgjedhjet, e cila ka të bëjë vetëm me një gjë, si të garantohet opozita, jo mazhoranca, sepse si garantohet mazhoranca e kemi parë,” – tha Kadilli teksa shtoi se opozita kërkon marrëveshje “për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor integritet për të cilin”, siç tha Kadilli, opozita “ka sakrifikuar shumë duke shkuar deri në veprime ekstreme” duke nënkuptuar këtu djegien e mandateve parlamentare dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.
PD i sheh të padobishme mbledhjet e Këshillit Politik nëse ato nuk tejkalojnë vijat e kuqe të diktuara nga mazhoranca. Në vijat e kuqe bëjnë pjesë propozimi që administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga administrata shtetërore dhe vajtja në zgjedhje pa qeveri tranzitore.
“Si mund të garantohet opozita me nëpunësit e administratës? Ky po i heq nga administrata që mbrohen me ligj, kjo vetëm që të mos i ketë demokratët apo jo-socialistët rrotull. Kjo është sëmundja e madhe e administrimit normal, jo më në zgjedhje,” – u shpreh Kadilli teksa mori si shembull Bashkinë Selenicë ku sipas tij janë larguar nga puna mbi 40 persona nga administrata.
Kadilli theksoi se opozita kërkon garanci për administrimin e zgjedhjeve, pasi atyre u mungon besueshmëria.
Për sa i përket kundërshtimit të propozimeve për qeveri tranzitore, Kadilli theksoi se në këtë mënyrë qeveria po tregon se nuk ka vullnet të tolerojë zhvillim zgjedhjesh normale.