“Do shfrytëzojmë korrikun dhe gushtin”: Leli shpjegon si do funksionojnë plazhet në Vlorë

Në një intervistë për Abc News, kryebashkiaku i Vlorës foli për sezonin turistik ndryshe këtë vit në qytetin bregdetar për shkak të pandemisë.

Leli sqaroi mes të tjerash se do të mundohen të shfrytëzojnë korrikun dhe gushtin për turizëm.

“Pak ditë më parë që shumë njerëz e quajtën hapje të sezonit turistik. Në fakt në fillim të majit nuk bëmë hapje të sezonit por shfrytëzuam traditën që javën e parë të majit e kanë për të promovuar turizmin. Këtë herë organizuam një event me të gjithë operatorët dhe zgjohem ti bëjmë publicitet Vlorës nëpërmjet një spoti.

Ne jemi në konsultë me të gjithë operatorët turistikë në të gjithë vendin. Asgjë nuk është e shkruar fiks dhe do të jetë me patjetër kështu në vazhdim. Jemi në një situatë të zhdërvjellët . nuk kemi akoma rritjet të numrit në Vlorë. Jemi në situatën që ne po përpiqemi që korrikun dhe gushtin ti fitojmë si dy muaj të sezonit turistik”, tha ai.

Kryebashkiaku foli më tej edhe për plazhet publike, duke qenë se shfrytëzimi i hapësirave për plazh deri tani është vetëm për hotelet. Leli sqaroi se këtë vit do të ketë hapësira publike për plazhet më shumë se çdo herë tjetër.

Ndërsa shtoi se një përgjihje përfundimtare për këtë çështje do të ketë këto ditë.

“Për plazhet do kem një informacion më të plotë nesër pas takimit që ka bërë nënkryetari në ministrinë e Turizmit. Vlora pavarësisht gjireve të vogla, është qyteti që ka vijën bregdetare më të gjatë të shfrytëzueshme. Do mundohemi që të respektohen distancat.

Hapësirat pulike për plazhe do të jenë shumë herë më tepër seç ishin më parë, sepse nuk do të jenë të zëna. Do të jenë plazhe falas. Hotelet do kenë mundësi që të shtojnë numrin e kapaciteteve të tyre. Një përgjigje përfundimtare do të ketë në pak ditë për këtë çështje kaq sensitive”, tha Leli.