Vlorë, Leli: Shpresojmë të kemi turizëm duke nisur nga qershori

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se fakti që në Vlorë ka vetëm 5 persona të konfirmuar me koronavirus, “jep kurajo për një sezon turistik normal”.

“Është shifër që të jep kurajo për një sezon turistik normal. Kemi nisur përgatitjet si anjëherë tjetër që në ditët e para të janarit, kemi qenë më pas në Panairin e Leçes për të promovuar qytetin. Tani jemi në prill dhe nuk parashikojmë dot se si do të shkojnë gjërat, por në skenarin më optimist po shpresojmë që në qershor të kemi turizëm. Gjatë këtyre muajve, punonjësit e bashkisë kanë qenë në territor për rregullimin e hapësirave dhe plazheve. Kemi vijuar punën sikur situata të ishte normale”, deklaroi Leli.

Sipas tij, “vija bregdetare e Vlorës e ka të mundur distancimin social” dhe për këtë arsye “familjet mund të shkojnë në plazh pa pasur frikën për dyndje të jashtëzakonshme”.

“Por, mbyllja e kufijve dhe problematika e mosardhjes së të huajve duhen parë hap pas hapi dhe duhen vlerësuar në kohën e duhur”, theksoi kryebashkiaku i Vlorës.