Vlorë, finalizohet operacioni i koduar “Ramica”

Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Policia e Vlorës, krahas punës për kontrollin e zbatimit të masave kufizuese për mospërhapjen e COVID-19, vijon punën e pandërprerë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërie në fusha të ndryshme dhe si rezultat ka bërë të mundur realizimin e operacionit “Ramica”.

Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, u bë kapja e shtetasit në kërkim kombëtar Inton Veshaj, 49 vjeç, në banesën e tij, në fshatin Ramicë të Vlorës.

Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar 49-vjeçarin, me 4 vite e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ngjarja i përket muajit shkurt të vitit 2017, ku gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa.