Qëndrimi zyrtarë: Nuk ka ulje pagash dhe pensionesh

Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dhe për temën e zjarrtë të hapur ditët e fundit, pas një deklarate të ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për uljen e pagave dhe pensioneve.

Kreu i qeverisë deklaroi shkurt se nuk do të ketë asnjë ulje rrogash dhe pensionesh. “Nëse kjo gjë do të ndodhë”, tha ai, “do të bëhet vetëm për t’i rritur.

“Nuk ka ulje pensionesh apo rrogash. Përsa i përket qëndrimit zyrtar dhe timit, kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë prekje të pensioneve apo të pagave. Nëse do të preken do të preken vetëm për t’u rritur. Shkurt, thjesht, copë. Është një situatë e vështirë kur duhet të përballesh me fjalët e transformuara diku, si një akuzë kundër meje dhe qeverisë”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri foli edhe për problemet që kanë hasur disa persona për pagën e luftës.

“Shumë kategori janë kthyer në punë, një pjesë e tyre kanë marrë edhe miratimin e pagës së luftës dhe do të vazhdojnë ta marrin. Ne besojmë që është e rëndësishme që të jemi bashkë në këtë situatë, ku njerëzit janë goditur ekonomikisht.

Po disbursojmë pagesat e paketës së zgjeruar, ku është vënë re një problematikë për një numër rreth 3 mijë personash me IBAN-in, ku kanë dhënë një kod jo të duhur te bankat. Bankave iu është kërkuar që të kthejnë të gjithë emrat që janë gabim.

Janë 3 mijë individ në paketën e parë, NIPT-et e të cilëve nuk korrespondojnë me fazën e aplikimit. Ata do të marrin një mesazh të dedikuar, ku do t’i kërkohet që të riaplikojnë”, tha kryeministri.