Nesër hapja, po cilat biznese dhe shërbime do vijojnë të jenë mbyllur
Kryeministri bëri të ditur në fundjavë, se të hënën do të rinisin punën shumë aktivitete, biznese dhe shërbime. Nga ato të prodhimit, tek minierat, industritë e shumë të tjera.
Teksa oraret ngelen të njëjtat, nga ora 5 e mengjesit deri në 17 e 30 pasdite, kanë dalë edhe udhëzimet për marrjen e autorizimit për liri daljen, janë përcaktuar edhe rregullat që duhen respektuar gjatë punës.
Si distanca fizike, qendrimi në një makinë jo më shumë se i dy vetëve në mënyrë diagonale, dhe vetëm me një pasagjer që duhet të jetë në të njëjtin institucion apo vend pune.
Ndërkohë, janë disa aktivitete që kanë interes të lartë publik, që do të vijojnë të jenë të mbyllura. Baret, restorantet, parukeritë, berberhanet, taksitë, qendrat tregtare, qendrat e kujdesit shëndetësor, klinikat dentare, transporti i udhëtarëve, pra këto shërbime kyçe, do të vijojnë të mos funksionojnë edhe javën që po vjen, deri në një urdhër të dytë.
Përsa i përket trasportit të udhëtarëve, përcaktohet se lejohen vetëm riatdhesimet që po bëhen me avionë, çka do të thotë se gjithë të tjerat do të jenë mbyllur.
Java që po vjen mesa duket do të jetë përcaktuese për të parë nëse do të ketë rihapje edhe më shumë, dhe nisje të funksionimit të këtyre aktiviteteve.
Ngelet për tu monitoruar se çfarë do të ndodhë me pandeminë, a do të vijojë të mbahet në kontroll pasi të rihapen nesër shumë njësi e sipërmarrje, apo jo.
Nëse gjithçka shkon mirë, me siguri që do të kemi rikthim të normalitetit edhe në sektorët që vijojnë të qendrojnë të mbyllura.