Më 4 maj Greqia del nga izolimi, një javë pas, hap edhe baret

Ka shkuar në 123 numri i viktimave në Greqi, pasi edhe dy persona kanë humbur jetën në orët e fundit.

Sipas mediave greke, kanë ndërruar jetë një burrë 88-vjeçar që ishte shtruar në spital në Njësinë e Kujdesit Intensiv të AHEPA, si dhe një burrë 76-vjeçar që po kurohej në “Kryqin e Kuq”.

Gjithashtu bëhet e ditur se 88-vjeçari që ishte i prekur nga Coivd-19, kishte edhe sëmundje të tjera të mbartura.

Por vetëm 7 rastet e reja të infeksionit të regjistruara në 24 orët e fundit, për një total prej 2408 personash, shihen me optimizëm nga qytetarët dhe ekspertët.

Me rënien e ndjeshme të shifrave nga koronavirusi, Greqia ka shpalosur edhe planin e rihapjes.

Sipas mediave greke, më 4 maj është faza e parë e rihapjes teksa qytetarët nga kjo datë nuk do të duhet të kërkojnë autorizim për të lënë shtëpitë.

Po ashtu në këtë datë do të lejohen edhe dyqanet dhe parukeritë të hapen.

Më 11-18 maj janë datat kur do të hapen për herë të parë pas mbylljes kafenetë, baret dhe restorantet, gjithashtu edhe institucionet arsimore si shkolla dhe universitete.

Edhe hotelet do të hapen në qershor, saktësisht në datën 15 qershor.