Mbyllja e “Tregut të Orizit” në Vlorë, revoltohen tregtarët, tentojnë të futen në Bashki

Vazhdon të mbetet pa zgjidhje çështja e tregtarëve të tregut të ashtuquajtur të Orizit në Vlorë.

Prej 8 ditësh ky treg vijon të jetë i mbyllur, ndaj tregtarët sot iu drejtuan bashkisë së Vlorës.

Nuk munguan dhe tensionet ku tregtarët kërkuan të futen në bashkinë e qytetit.

Më në fund bashkia pranoi për të diskutuar një përfaqësi të tyre prej katër personash për zgjidhjen e situatës.

Pas afro 40 minutash diskutime, tregtarët dolën nga bashkia eVlorës pa asnjë zgjidhje.

Ata thanë se ju bë e qartë nga nënkryetari Shkëlqim Rama se ai treg nuk hapet më për shkak të ankesave të qytetarëve por nënvizuan se nuk është ofruar as mundësia për zhvendosjen në një treg të ri.

Janë mbi 100 tregtarë që kanë mbetur në rrugë.

Edhe Prefekti Flamur Mamaj kishte deklaruar se tregu do të mbetet i mbyllur deri në plotësimin e të gjitha kushteve të kërkuara.

Tregjet janë konsideruar vatra të rrezikshme të përhapjes së koronavirusit, Covid-19.