Ish-nëndrejtori i Spitalit të Sarandës do bëjë testin, Avokati: Rrezik për të paraburgosurit
Ish- nëndrejtori i Spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj, i arrestuar për trafik droge do i nënshtrohet testit për CoVid-19, dhe me këtë pretendim ai kërkon ndryshimin e masës në arrest shtëpie.
Kështu GJKKO ka dhënë vendimin e parë që ka lidhje me CoVid-19, ku kërkon të bëhen analizat ndaj një të paraburgosuri.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka pranuar kërkesen e të dyshuarit Florenc Llanaj dhe mbrojtësit Av. Arbër Hoxha dhe me Vendim të Ndërmjetëm ka urdhëruar Insitutin e Shëndetit Publik dhe Spitalin e Burgjeve për t’i marrë tamponin dhe të bëjë analizat përkatëse për të vërtetuar nësë ka CoVid-19 apo jo.
“Vendimi i gjykatës është mëse i drejtë, pasi nëse rezulton pozitiv, i mbrojturi prej meje duhet që të largohet sa më shpejt nga ambjentet e IEVP Mine Peza, pasi përbën një rrezik të shtuar edhe për të paraburgosurit e tjerë që ndodhen aty”, tha për gazetaren Anila Hoxha, avokati i Llanajt Arbër Hoxhaj.
Nisur nga kjo, seanca gjyqësore u shty në datë 15 Prill 2020, ora 09.00. Gjithashtu, burimet bëjnë me dije se nëse rezulton pozitiv, seanca mund të zhvillohet edhe më herët se data 15 Prill.