Hotelet në Gjirokastër, gati të përshtaten me ‘realitetin e ri’ për të mbijetuar

Anxhela Ruçi

Asgjë nuk do jetë më si më parë, dëgjojmë shpesh këto ditë dhe këtë e shohim çdo ditë nëpër rrugë apo ato aktivitete biznesi që janë rihapur.

Në Gjirokastër, qytetin turistik të jugut që pret mbi 100 mijë turistë çdo vit, aktiviteti i hotelerisë është paralizuar.

Megjithatë pronarët kanë nisur të mendojnë si mund ta përshtasin aktivitetin me masat e reja kundër Covid-19, në përpjekje për të mbijetuar edhe në këtë kohë sfide.

—————————————————————————————————————————————–

Koronavirusi i dha goditje të rëndë turizmit, një prej sektorëve më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. “Faktoje” kontaktoi me disa hotele dhe shtëpi pritjeje në qytetin e Gjirokastrës, të cilët këtë vit presin të ardhura minimale ose zero nga aktiviteti i tyre.

Çdo vit qyteti jugor pret rreth 100 mijë turistë të huaj dhe shqiptarë, të cilët këtë vit për shkak të koronaviurusit kanë anuluar pothuajse të gjitha pronontimet.

Edmond Mele, menaxheri i “Guest House Mele”, tregoi se kjo situatë ka ndikuar në maksimum në biznesin e tij familjar, ku punojnë 5 anëtarët e familjes së tij. Nëse në fillim të marsit 60% e dhomave  ishin të prenontuara, sot ato janë të gjitha të lira, të paktën deri në muajin gusht. Për shkak të mbylljes së kufijve dhe situatës së krijuar nga koronavirusi, në vendet kryesore nga vijnë turistët, të gjitha pronontimet janë anuluar.

Përveç hotelit, Edmondi ka mbyllur edhe restorantin në të cilin priste turistë, një goditje dyfish për biznesin e tij. Gjatë këtyre 5 javëve të karantinimit me familjen, Edmondi ka menduar sesi mund ta përshtasë biznesin e tij me realitetin e ri që ka krijuar pandemia e koronavirusit. Ai është gati që të krijojë një dhomë vetëm për dezinfektimin përpara se turistët të hyjnë dhe të dalin nga hoteli, si masë e detyrueshme për mospërhapjen e COVID-19. Por të gjitha këto mbeten në kuadrin e një plani, pasi në shtëpinë  e tij të pritjes nuk ka shkelur ende asnjë turist dhe nisur nga anulimet, dita që një turist do të vij duket shumë e largët.

Problem me anulimet e shumta ka edhe Hotel “Kodra”, i pozicionuar në zemër të qendrës historike të Gjirokastrës. Në pikun e sezonit në këtë kompleks punojnë reth 25 veta, ndërsa sot, për shkak të situatës së koronavirusit punojnë vetëm 4 anëtarët e familjes që ka në pronësi këtë biznes.

Nga marsi në gusht të gjitha rezervimet janë anuluar, madje këto ditë kanë filluar të anulohen dhe rreth 60 % e rezervimev për muajin shtator. E vetmja shpresë për këtë hotel është muaji tetor, prenotimet për të cilin nuk janë anuluar.

Menaxheri i këtij hoteli, thotë se vetëm nëse hapen kufijtë mund të ketë shpresë për rifillimin e punës, pasi më shumë se 95% e turistëve që frekuentojnë hotelin, janë të huaj.

E gjithë historia e anulimeve ka ndodhur brenda një muaji, kur koronavirusi filloi të përhapej me shpejtësinë të gjithë Europën.

Një tjetër kompleks në Gjirokastër tregon se që kur u shfaqën rastet e para me Covid-19 në Shqipëri, bëhet dizinfektim i dhomave direkt pasi vizitorët linin dhomat. Gjithashtu për të mbrojtur veten dhe stafin, po punohet me staf të reduktuar.