Fitoi betejën me koronavirusin, kreu i Urgjencës: Është më i egër se gripi, por nuk ka vend për panik

Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, foli në A2 mbi situatën që ai përjetoi, pasi ishte nja nga të prekurit me Covid-19. Për fat të mirë, ai tashmë mund të quhet i shëruar edhe pse ende jo zyrtarisht pasi nuk ka bërë tamponët.

Brataj u shpreh në Dita Jonë se gjendja e tij shëndetësore është e mirë. “Jam mirë. Mbas kaq ditës, sëmundja e bëri rrugën e saj dhe ja dolëm me ndihmën e njerëzve dhe të Zotit. Tani do të bëjë tamponët, janë protokollet e caktuara që në fillim”.

Brataj flet edhe për sëmundjen, duke theksuar se është më e egër se gripi, por thotë se nuk ka vend për panik.

“Në Shqipëri përmasat janë të vogla krahasuar me vendet e tjera, kjo falë masave. Sot, lehtësimi i masave duhet të jetë objektivi kryesor. Sëmundja është më e egër se sa gripi. Sëmundja nuk zgjat 4-5 ditë, por më shumë. Nuk ka vend për t’u shqetësuar kaq shumë se po të zuri koronavirusi do të vdesësh, nuk është e vërtetë. 75% e personave nuk shfaqin fare simptoma. Në fillim, kam përdorur terapi simptomatike, antibiotikë, paracetamoli, vitaminë, lëngje”, u shpreh Brataj.

Më tej, kreu i Urgjencës Kombëtare foli për menaxhimin e situatës në vendin tonë, duke e vlerësuar atë.

“Sot mund ta vendosim Shqipërinë në vend të parë për menaxhimin e situatës. Dëgjoj që e kanë pasur sëmundjen që në janar, por nuk është fare e vërtetë. Tani janë bërë të gjithë epidemiolog. Masat janë marrë që në fillim. Kina dhe Italia na dhanë kohë për të marrë masat.

Piku ka qenë me 8 mijë telefonata, ndërsa sot jemi në 1 mijë thirrje. Për fat, po shohim sinjale pozitive edhe nga Italia dhe vendet e tjera, pasi ne jemi të varur edhe nga këto shtete që na rrethojnë për masat, pasi jemi të rrezikuar”, u shpreh Brataj.