Edhe këtë fundjavë mbyllur! Sot nis kthimi i lekëve të gjobave
Zëvendësdrejtori i Policisë për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu u shpreh në një intervistë për mediat se masat për këtë fundjavë do të jenë të njëjta me atë që shkoi, pra prej ditës së sotme në orën 17:30 deri të hënën në orën 05:00 gjithçka do të jetë mbyllur dhe qytetarët nuk duhet të dalin nga banesat me përjashtim të kategorive të lejuara.
“Deri tani jemi në të njëjtën situatë sikur vepruan në fundjavën që shkoi. Ne jemi 24 orë në punë dhe do të vijojmë deri kur të vijë ndonjë ndryshim tjetër” tha ai.
Pritet për t’u parë nëse brenda fundjavës, kryeministri Edi Rama do të bëjë përjashtime si të shtunën dhe të dielën e kaluar, që lejoi pensionistët dhe nënat me fëmijë që të dalin disa orë.
Dhimitraq Ziu shpjegoi gjithashtu se sot kanë nisur procedurat pas faljes së gjobave me kthimin e lekëve për ata qytetarë që e kanë paguar masën administrative, por edhe lejet e drejtimit dhe dokumentacionin.
“Përtej asaj që është historike falja e masave administrative, ne po vijojmë me procedurat dhe sot po procedojmë me faljen, kthimin e dokumentacionit, që policia ka administruar si provë, si lejet e drejtimit, kemi filluar me kthimin e vlerës e gjobës, lekët.
Që nga data 17 dhe këtej policia nuk e ka ndërprerë aksionin, kemi dhënë disa masa administrative, nga data 18 dhe deri sot jemi 274 masa administrative. Një pjesë e qytetarëve nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj mase, por ndihen të penduar, por pendimi i tyre nuk ka vlerë kur vijnë në komision. Qytetari duhet ta vlerësojë” tha ai.