COVID-19/ Meta: Qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ftuar sot të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi ka theksuar ai, “kjo është në interesin tonë të përbashkët”.
“Në këtë mënyrë”, ka nënvizuar Meta, “jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne”.
Ndërkohë, ka shtuar ai, “është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre”.
“Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore”, ka theksuar Meta.
“Masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave”, ka vijuar Kreu i Shtetit.
“Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci krysore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë”, ka përfunduar presidenti Meta.