Ambasadori i Japonisë në Tiranë jep lajmin e mirë: Do t’i japim falas Shqipërisë, ilaçin që përdoret për kurimin e koronavirusit

Ambasadori i Japonisë në Tiranë Makoto ITO, ka thënë mbrëmjen e sotme se vendi i tij do t’i japë falas Shqipërisë Aviganin, ilaçin që përdoret për kurimin e koronavirusit.

Në një intervistë për emisionin “Pa protokoll”, ambasadori i Japonisë ITO ka thënë se vendi i tij do t’ua japë falas këtë ilaç 20 vendeve që duan ta përdorin si medikament për covid-19, dhe mes këtyre vendeve sipas tij është dhe Shqipëria.

“Qeveria jonë ka vendosur që t’i sigurojë falas ilaçin “Avigan” në më shumë se 20 vendeve që duan të përdorin këtë medikament anti-gripal për të trajtuar pacientët me koronavirus ndërkohë që provat klinike vazhdojnë. Shqipëria është një ndër ato 20 vende të cilat do ta marrin këtë ilaç.

Ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), Japonia do t’i sigurojë sasi të caktuara të ilaçit “Avigan” atyre vendeve që dëshirojnë ta kenë këtë anti-viral, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë”, ka thënë Ambasadori i Japonisë në Tiranë Makoto ITO.