Vlorë, Leli takim me zv.kryetarin e Bashkisë së Bocholt: Binjakëzimin mes dy bashkive
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka pasur një takim me me një delegacion të zgjeruar të bashkisë së Bocholt, të kryesuar nga zëvendës kryetari, Zoti Reiner Bones.
Leli shprehet se arsyeja takimit ishte që në të ardhmen të kurorëzohet me binjakëzimin mes dy bashkive.
“Sot, hodhëm bazat e bashkëpunimit me qytetin e Bocholt në Gjermani, të një procesi që do të kurorëzohet me binjakëzimin mes dy bashkive.
Në takimet që zhvilluam me një delegacion të zgjeruar të kësaj bashkie, të kryesuar nga zëvendës kryetari, Zoti Reiner Bones, diskutuam për fushat prioritare të bashkëpunimit, për detajet dhe rrugët që do të ndjekim për përmbylljen sa më shpejt të këtij procesi, në mënyrë që Vlora dhe Bocholt, të shndërrohen në referencë, argument dhe simbol të miqësisë mes dy popujve e vendeve tona.
Shqipëria sheh tek Gjermania avokaten e madhe të çështjes së integrimit në BE, ëndrra e madhe e të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë e punojnë. Sheh modelin e demokracisë dhe të zhvillimit në të gjitha nivelet. Prandaj dhe binjakezimi me qytetin Bocholt, është mënyra për ta reflektuar e konkretizuar këtë aspiratë, për ta bërë atë të prekshme e nxitëse. Ne, e kemi nisur kohë më parë këtë bashkëpunim, me projektet e financuara nga Banka Gjermane për Zhvillim në Vlorë, me kontaktet që kemi patur. Sot, ndërtuam një bazë të re të institucionalizuar, me dëshirën dhe vendosmërinë e ndërsjelltë për të ndërtuar një urë më shumë komunikimi mes dy vendeve, ku Vlora dhe Bocholt do të kenë respektivisht vendin dhe rolin e tyre.
Ky proces, që ka në themel mbështetjen e Qeverisë Gjermane për aspiratën tonë për t’ju bashkuar familjes Evropiane, do të vijojë me një vizitë të një delegacioni të Vlorës në Bocholt, me një pjesëmarrje të gjerë nga këshilli bashkiak, administrata, komuniteti i biznesit, arsimi profesional, kultura, të rinjtë e qytetit, gazetarët.
Faleminderit miq nga Gjermania, zoti Reiner Bones, z. Michael Lemke, z. Stefan Schmeink, Znj. Jule Wanders, znj.Petra Taubach, Znj Anduena Stephan, zoti Agim Ramaj, zoti.Brahim Krasniqi, zoti Bekim Hoxhaj.
Një falenderim dhe mirënjohje e veçantë për kryetarin e Bashkisë Bocholt, që, për arsye objektive nuk ndodhej fizikisht në Vlorë, por simbolikisht ishte i pranishëm në të gjitha takimet mes dy delegacioneve”, shprehet Leli. /Sarandanews/