Sarandiotët janë të ndërgjegjësuar, zbrasen rrugët e qytetit

Sarandiotët janë të ndërgjegjësuar. Në rrugë nuk ka aspak gjurmë të një dite feste, por një ditë ashtu si në kohë koronavirusi.

Sa i përket në një përshkrimi më të gjerë të situatës në Sarandë, prej mëngjesit të ditës së djeshme autobusët e linjave interurbane kanë ndërprerë transportin e pasagjerëve.

Gjithashtu, prej mbrëmjes së djeshme kanë ndërprerë aktivitetin e tyre baret restorante dhe lokalet e tjera të shërbimeve.

Ndërprerja e aktivitetit të disa prej lokaleve ka nisur në mënyrë individuale fillimisht nga një pjesë e tyre kurse në orët e mbrëmjes kanë qenë disa grupe nga Inspektoriati i Shëndetit Publik të cilët kanë dalë në terren për t’u komunikuar këtyre bizneseve se duhet të ndërprisnin aktivitetin si masë kjo në luftën ndaj koronavirusit, shkruan Shqiptarja.com

Ditën e sotme vihet re se kjo masë është respektuar nga bizneset e bar restoranteve. Qytetarët nga ana e tyre po mundohen të respektojnë masat e rekomanduara duke kufizuar lëvizjet e tyre, të cilat tani bëhen kryesisht për blerjet në supermarkete.

Deri në këto momente nuk vihet re rritje e çmimeve, ndërsa në farmacitë e qytetit mungojnë maskat mbrojtëse.