Propozimi “gjenial” i Dasho Alikos për shpërndarjen e ndimave

Teksa i gjithë vendi është në një karantinë të plotë për shkak të Covid-19, kreu i opozitës Lulzim Basha i ka ulur ndjeshëm tonet ndaj qeverisë, madje ka përshëndetur masat dhe paketën ekonomike të prezantuar disa ditë më parë.

Presidenti Ilir Meta nga ana tjetër po flet si të ishte ministër i Edi Ramës. Këtë qasje të opozitës e lyp natyrisht momenti i vështirë në të cilin ndodhemi.

Pra, kanë rënë dakord të gjithë, që të fitojmë njëherë betejën me koronavirusin, pastaj kemi kohë t’i ‘nxjerrim sytë’ njëri-tjetrit për politikë.

Të vetmit që zhurmojnë në rrjetet sociale dhe duan të bëjnë politikë me krizën e Covid-19 janë Tritan Shehu dhe Dasho Aliko në Gjirokastër. Ky i fundit bëri sot një tjetër deklaratë me akuza dhe disa ide qesharake.

Fantazia e Dasho Alikos shkon deri aty sa mendon që shpërndarja e ndihmave nga Bashkia Gjirokastër nuk bëhet sipas nevojës, por sipas ‘listave partiake’, a thua se kjo kohë e mallkuar që po kalojmë qenka për politikë apo për të mbledhur vota me disa pako sheqer, makarona e fasule.

Është e turpshme ta mendosh në këtë situatë, jo se nuk ka ndodhur kjo gjë në Gjirokastër më parë. Ka ndodhur që çke me të në kohën kur ishte partia e Dasho Alikos në pushtet dhe patjetër edhe në kohën e PS-së. S’ka dallime në këtë pjesë.

Ndodh sa herë ka zgjedhje. Tipike kjo është me romët sidomos. Por nuk është ky momenti që të bëhet politike me emergjencën që po kalon vendi. Është aq qesharake sa s’ka ku të shkojë më propozimi i tij për ngritjen e një “komisioni emergjent me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve politikë vendorë pasi kjo më shumë se kurrë është e domosdoshme në ditët e sotme”, thotë Aliko.

Pra, komision me ish-drejtorë e funksionarë të PD-së, LSI-së, PS-së për të ndarë ndihma. Të mblidhen të gjthë ‘me kuç e me maç’ thotë Aliko, e t’i vënë gjoksin kësaj pune.

Po çfarë përfaqësojnë sot këta njerëz? Dasho Aliko përveçse mban në xhep vulën e PD-së, po kështu edhe Krenar Kulla vulën e LSI-së, ca drejtorë të tjerë kanë akuzat për abuzim me fondet publike, sot nuk përfaqësojnë asgjë tjetër. Janë qytetarë të lirë sepse zgjodhën vetë të ishin të tillë.

Për aq kohë sa PD e LSI dolën jashtë insitucioneve qëndrore e vendore, s’kanë më asnjë të drejtë për momentin të pretendojnë të administrojnë taksat tona.

Pakot me ndihma kanë detyrimin t’i shpërndajnë bashkitë sipas kritereve dhe listave që kanë dhe me transparencë të plotë. Nëse Dasho Aliko konstaton abuzim, t’i denoncojë me fakte dhe t’i çojë në Prokurori të gjithë me radhë.

Është fyese për taksat tona që të mblidhen së bashku këto “faktorët politikë vendorë” që thotë Dasho Aliko, si të ishin mendjet më të ndritura të Gjirokastrës, dhe të shpërndanin ndihmat për popullin. Nëse do të ndodhte kështu, ne të parët do të bënim thirrje publike që familjet në nevojë t’i refuzonin ato pako.

S’ka nevojë për struktura të tilla ekstra-ligjore apo komisione bipartizane në shpërndarjen e kësaj ndihme. Ka struktura përkatëse të shërbimit social në çdo bashki që e kryejnë këtë punë.

Nëse kryetarët e bashkive, të pushtetit monist siç thotë Dasho Aliko, abuzojnë me këto ndihma, harram iu bëfshin e të mbajnë mbi supe njollat e turpit, si dhe të përgjigjen para ligjit. Se nuk është ky momenti as për të vjedhur ndihma e as për të bërë politikë. Para Covid-19 jemi të gjithë njësoj.

PD Gjirokastër dhe vetë Dasho Aliko, në këtë situatë, më mirë të shkojnë të ndezin vetë një qiri sesa të mallkojnë errësirën. Shkoni edhe ju tek familjet në nevojë u jepni disa ndihma. Qoftë edhe vetëm tek ato të PD-së, vetëm shkoni. I leni ‘familjet socialiste’ meqë edhe ju keni listat tuaja.

Kush është në nevojë nuk është as socialist, as demokrat, as lësëist, është në nevojë. Pikë. Mjaft folët broçkulla dhe i ndatë njerëzit në grupe të tilla. Nuk është ky momenti!

Më poshtë deklarata e plotë e Dasho Alikos.

PD Gjirokastër po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Bashkinë e Gjirokastrës, Libohovës, Dropullit, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit e Këlcyrës rreth procesit të vlerësimit të familjeve me të ardhura të pakta dhe që kanë më shumë se kurrdo nevojë për asistencë ushqimore dhe mjekësore.

Në kushtet e mungesës së transparencës së mekanizmit sesi funksionon procesi i ndihmave tek familjeve në nevojë, PD Gjirokastër kërkon prej Bashkisë së Gjirokastrës, Dropullit dhe Libohovës, apo dhe të gjitha bashkive në rang qarku, informacion të plotë. Kjo në momentet emergjente në të cilën ndodhet vendi e rrjedhimisht edhe Gjirokastra.

Nuk ka një strategji të qartë nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës, Libohovës dhe të Dropullit, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit e Këlcyrës sesi duhet të operojnë nëpër familjet e vobekta të cilat në shtatë vjecarin e fundit, numri i tyre ka njohur rritje të pandalshme.

Në vlerësimin tonë si PD Gjirokastër të kryetarit të Grupit të Punës në PD Prof.Dr Tritan Shehu dhe në timin personal si kryetar i PD, shtatë bashkitë moniste me kryetarë të emëruar në 30 qershorin e kaluar përmes votimeve moniste, nuk kanë ofruar ndihmë emergjente tek ato familje që kanë më shumë se kurrë nevojë, por ndihmat janë shpërndarë në bazë të rregjistrit partiak.

Informacionet që disponon PD Gjirokastër përmes terrenit, konfirmojnë se procesi i dhënies së ndihmave ushqimore, kryhet nga elementë të lidhur me pushtetin monist dhe kjo bëhet me qëllime të caktuara për përfitime politike duke shfrytëzuar një “resurs” human sic është pandemia botërore e Covid-19.

Për t’u dhënë shpresë dhe që ndihmat ushqimore të shkojnë aty ku duhet, kreu i Grupit të Punës në PD Prof.Dr Tritan Shehu ish deputet i PD Gjirokastër dhe unë si kreu i PD Gjirokastër, propozojmë ngritjen e një komisioni emergjent me pjesmarrjen e të gjithë faktorëve politikë vendorë pasi kjo më shumë se kurrë është e domosdoshme në ditët e sotme.

Ngritja e këtij komisioni do të vlerësonte në mënyrë të paanshme furnizimin me ndihma ushqimore apo mjekësore të të gjithë shtresës që ka më shumë nevojë për përkrahje sociale përfshirë edhe komunitetin rom që është i ekspozuar nga Covid-19 dhe kur pushteti vendor në Gjirokastër e ka lënë në mëshirë të fatit.

Për të qenë sa më transparent me publikun, PD Gjirokastër vë në dispozicion të gjithë resurset e veta humane për t’i ardhur në ndihmë njerëzve që kanë më shumë nevojë se kurrë pasi kjo do të influenconte në bashkimin e forcave të të gjithë faktorëve politikë vendorë në menaxhimin e situatës në terern pa kurrëfarë përfitimi politik.

Për t’i paraprirë përshkallëzimit të situatës së mundshme, unë si kreu i PD Gjirokastër, vë në dispozicion hapësirën e ish UMB Gjirokastër që është pronë imja për të shërbyer si vend karantinimi për personat që mund të bëhen bartës së Covid-19 dhe që kërkojnë trajtim spitalor. PD Gjirokastër unë personalisht si kryetar i PD së bashku me kreun e Grupit të Punës ish deputetin e PD së Qarkut Prof.Dr Tritan Shehu, jemi të hapur për të bashkëpunuar me faktorët relevantë vendorë për të ndihmuar sa më shumë me qëllim që Qarku i Gjirokastrës të menaxhojë më maksimum situatën e krijuar si pasojë e pandemisë globale. Për ne shëndeti i qytetarëve është prioritar.