Ministria e Financave: Nëse ju rrisin çmimet e ushqimeve denoncojini këtu tregtarët

Në kushtet e shtetrrethimit dhe mbylljes së të gjitha dyqaneve përveç ushqimoreve, fruta perimeve, furrës së bukës dhe farmacive ministria Ekonomisë dhe Financave po monitoron tregun për të shmangur abuzimet me rritjet e çmimeve.

Në dispozicion të qytetarëve është vendosur edhe një numër pa pagesë ku të denoncojnë nëse konstatojnë raste abuzimi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe në kushtet e ndalimqarkullimit, përmes strukturave të saj po monitoron sjelljen e tregjeve për të shmangur çdo abuzim të mundshëm nga tregtarët. Për këtë qëllim është në dispozicion edhe numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, ku të gjithë mund të bëjnë denoncime të rasteve që konstatojnë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë inkurajon qytetarët që të përdorin këtë mjet komunikimi, për të ndihmuar në evidentimin e rasteve, të cilat do të ndiqen me prioritet, bazuar kjo edhe në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit” i cili përcakton ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, nuk përbëjnë vepër penale, por kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me penalitetet përkatëse në fuqi” njofton ministria.