Lirohet nga burgu Henri Çili, caktohet masa “detyrim paraqitje’

Pas një seance maratonë në Gjykatën e Përmetit, kjo e fundit ka marrë vendimin për lirimin nga burgu të botuesit dhe gazetarit, Henri Çilit.

Burime konfirmojnë se ndaj Çili është vendosur masa “detyrim paraqitje”.

Ka përfunduar seanca gjyqësore me dyer të mbyllura ndaj  botuesit Henri Çili dhe 30 të arrestuarve të tjerë. Çili sipas burimeve mohuar akuzat ndërsa mbajtjen e tij pas hekura e quajti abuzim.

Në lidhje me akuzat ndaj kunatit të tij, Çili mësohet të ketë thënë se ai nëse ka bërë shkelje le të përgjigjet vetë para drejtësisë.

Gjatë seancës ka folur vetë Henri çili i cili ka pranuar përgjimet me argumentin se ai ka një studio ligjore që ia legjitimon ndërmjetësimin. Sipas tij biseda të kësaj natyre janë brenda profilit të punës së kësaj studioje ligjore.

Sipas Çilit, ngjarja e fundit do të jetë një shtysë për forcimin e masave të mëtejshme në mënyrën e funksionimit të studios së tij.

Nga ana tjetër, avokatë të pranishëm në seancë pohuan se çështjet mbi të cilat janë ngritur akuzat për të arrestuarit nuk kanë lidhje me njëra – tjetrën dhe nuk duhej të ishin brenda të njëjtit procedim. Duhej të ndaheshin në të paktën tre grupe u pohua nga avokatët.

Sipas avokatit urdhëri i ndalimit është bërë në mënyrë të paligjshme. Avokati është shprehur se Prokuroria e Përmetit është nxituar se nuk ka as juridiksion, as kompetencë për ndalimin e Çilit.

Nga 31 personat që sot kanë qenë për masë, për 30 është dhënë vendimi, ndërsa për administratorin e pronave të Henri Çilit do të shtyhet dhe të merret në shqyrtim kërkesa e prokurorisë nga një tjetër gjyqtar, pasi Dritan Hasani rezultoi shok fakulteti me Betim Shkupin.