Vdes në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha
Ndahet nga jeta gruaja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha.
Është ndarë sot nga jeta në moshën 99 vjeçare Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-diktatorit Enver Hoxha.
E moshuara ka mbyllur sytë përgjithmonë pak orë më parë.
Ajo lindi në Manastir më 8 shkurt 1921.
Nexhmije Hoxha u martua me Enver Hoxhën në janar të vitit 1945. Ata sollën në jetë tre fëmijë.
Jetëshkrimi sipas Wikipedia:
Nexhmije Hoxha ishte e bija e Tefikut dhe Naxhijes, nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Ndoqi me gjysmë burse dhe kreu Institutin Femëror Pedagogjik “Nana Mbretneshë” në kryeqytetin e shtetit shqiptar[1].
Më 10 nëntor 1941 figuron e regjistruar në Federatën Fashiste të Tiranës me nr. 637. Me dekretin ministror të datës 20 dhjetor 1941 të nënshkruar nga zëvendësisht ministri i Arsimit Dhimitër Berati, Xhuglini u emërua mësuese filloreje në Tiranë. Si mësuese u pezullua më 1 dhjetor 1942, ndërsa dekreti i pushimit nga puna doli më 27 mars 1944[2].
Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.
Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së.
Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.
Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit