Nga Saranda, Delvinë, Konispol e në Finiq, shijoni itinerare të veçanta!

Me siguri që kur vini me pushime në Sarandë, dy destinacionet e para që ju vijnë në mendje për t`u vizituar janë Ksamili dhe Butrinti.
Shumë mirë! Dhe nuk duhet t`i lini pa vizituar kurrsesi!

Por Saranda ka aq shumë thesare që ndoshta nuk e kanë famën e Butrintit apo të Ksamilit por janë po aq të bukura e sidomos të veçanta, secila në llojin e vet.

Shtrirja gjeografike e Sarandës është shumë e larmishme dhe duke qenë e rrethuar me zona shumë të bukura, fshatra bregdetarë, burime natyrore të mrekullueshme, zona malore që i japin jo vetëm hijeshi por edhe tjetër ngjyrë pushimeve tuaja, ajo paraqet mjaft interes edhe me zonat që e rrethojnë atë.

Duke nisur që nga kufiri me Himarën, ku ndodhet Borshi e Lukova, e deri në kufijtë e ekstremit jugor si Konispoli apo edhe zona e bukur e Delvinës që ndodhet fare pak kilometra pranë saj, Saranda përbën një thesar vlerash e bukurish, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse pasurojnë pushimet tuaja.

Delvina

Delvina është një nga qytetet më jugore të Shqipërisë, që fsheh në gjirin e saj shumë thesare të kulturës, natyrës e trashëgimisë, të cilat shpeshherë gabimisht i atribuohen Sarandës.

Kështu për shembull Syri i Kaltër, Mesopotami apo Finiqi, janë vlera që i takojnë asaj, bashkë me shumë të tjera të pangatërrueshme si Xhermëhalla, Xhamia e Gjin Aleksit, Sarajet e Rusanit etj.. Ajo shtrihet në këmbët e Malit të Gjerë, në një fushë të ngushtë, rrethuar me kodra të larta. Historianët e vjetër Tit Livi dhe Polibi e përmendin si një vendbanim të lashtë.

Muzika e Delvinës është shumë e njohur me “Sazet e Delvinës”, që përmenden qysh në kohën e De Radës, në “Rrëfimet e Arbrit”.
Objektet me interes që duhet të vizitoni:
Kalaja e Delvinës. Vjen nga antikiteti, mban katër rindërtime të mëdha mbi kurriz, në një sipërfaqe prej 180 m2. Periudha e fundit të rëndërtimit ishte pushtimi osman. E ndërtuar me mjeshtëri të lartë e përshtatshme për fortifikim të sofistikuar.

Xhamia e Gjin Aleksit është ndërtuar në shekullin e XVII-të dhe ndodhet në lagjen Rusan, në hyrje të Delvinës.

Sarajet e Rusanit të konsideruara si një ansambël ndërtimor, i përkasin arkitekturës neootomane dhe përbëhennga një sërë ambientesh banimi

Manastiri i Mesopotamit. Ndodhet në pjesën jugore të fshatit Mespotam. Ishte fillimisht një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij u ngrit kisha e Shën Kollit nga perandori bizantin Kostandini i IX Monomaku. Është ndër kishat më të mëdha e më të vjetra të periudhës bizantine.

Finiqi (Foinike). Qytet antik, i themeluar rreth shek. V p.K., I njohur si kryeqyteti i Kaonisë, mjaft aktiv në kohën e lulëzimit. Zbulimet e para u bënë gjatë Luftës së II Botërore nga Konti Ugolini. U shpall Park Arkeologjik në vitin 2005..

Syri i Kaltër, Kontrasti mes blusë së ujit, të gjelbrës së pemëve dhe formave të tyre e bëjnë Syrin e Kaltër një vend të magjishëm që nuk duhet lënë pa u parë. Legjendat e këtij vendi janë të shumta por mbi të gjitha është ajo e vajzave të bukura që u fijoheshin perëndive, që t’ua falnin njerëzve burimin e ujit të kulluar.

Konispoli

Konispoli është qyteti më jugor i Shqipërisë dhe njëkohësisht i vetmi qytet i Çamërisë që ka mbetur brenda kufijve të Shqipërisë (sot quhet Çamëria Veriore).

Tri Qafat e rrethinës së Konispolit (Qafë-Bota, Qafa e Madhe dhe Qafa e Likojanit) janë dëshmitare të gjalla të eksodit të çamëve, që u përzunë nga vatrat e tyre të mbetura në Greqi. Ai është vendosur në shpatin juglindor të malit të Saraqinit, 300 m mbi nivelin e detit.

Rrethina e Konispolit ka qenë e banuar që në periudhën e Paleolitit të Mesëmme një vazhdimësi të jetës qytetare në të gjitha periudhat historike.

Fshati i Konispolit, tashmë i njohur për prodhimin e agrumeve por sidomos të mandarinave, jo vetëm që eksporton me shumicë mandarina cilësore jashtë Shqipërisë, por ka edhe një festë, “Dita e Mandarinës”, ku i thur lavde produktit të tij.

Një prej objekteve me interes që mund të vizitoni në zonën e Konispolit është Ujësjellësi i Xarrës, i cili vlerësohet si një ndër projektet më të mëdha inxhinierike dhe arkitektonike të Perandorisë Romake në territoret e Ilirisë dhe Epirit. Ka gjurmë të bazamenteve me mbetjet e Këmbëve të ujësjellësit përgjatë fushës së Vrinës (Kestrina e lashtë).