VIDEO/Pronat në bregdetin e jugut, banorët: Po na grabisin tokën në emër të investimeve strategjike
“Unpublished” sjell denoncimet e banorëve në jug të vendit, që akuzojnë qeverinë se po u vjedh pronat. Nga Palasa në Kakome, vijnë dëshmi të personave që pretendojnë pronësinë dhe deklarojnë se, shteti nuk po u regjistron tokat, pasi ua ka dhënë njerëzve me pushtet e para.
Banorët pohojnë për “Unpublished”, në Euronees Albania se mos regjistrimi i pronave po i fut në konflikte. Madje, një nga rastet e pasqyruara në emision është ai i debatit mes të afërmve të fisit Ruçi në Dhërmi. Ariadhi Ruçi akuzon për zaptim të tokës pranë detit, stërmbesën e burrit, që është anëtare e Këshillit Bashkiak në Vlorë. Ndërsa kjo e fundit, Adiola Gjoka pohon se për këtë debat mes familjesh, ka bërë edhe ajo kallëzim në organet kompetente.
Kreu i Agjencisë Shtetërore të Pronave, Artan Lame deklaron nga ana tjetër se, ka një plan për regjistrimin e pronave në jug. Sipas tij, Kadastra e Vlorës do të ristrukturohet pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme në harkun kohor të 10 muajve. Regjistrimi do të bëhet nga ekipe nga Tirana me matje në terren dhe hedhje të të dhënave në një hartë të përbashkët. Aty pritet të dalin në dritë mbivendosjet dhe abuzimet që pretendojnë banorët.
Lame dha detaje gjithashtu edhe për sherrin në Lukovë, për të cilin ai vet publikoi videon ku banorët e largonin nga mbledhja. Sipas tij, e bëri këtë për të treguar se mbi çfarë klime po punohet në jug, ku është në lojë pronësia e tokave të bregdetit.
Një tjetër zë eksperti që flet për abuzime me pronat është edhe Ledina Mandija, ish-Avokate e Shtetit, njëherazi ish-zv. kryeministre në qeverinë teknike para zgjedhjeve parlamentare të 2017-s. Abuzimet sipas saj janë kryer ndër vite, shto këtu edhe miksimin tashmë me investimet strategjike. Ky skenar e mbuloi atë që po ndodh me pronat në jug.
Askush nuk di të thotë një afat të saktë kur mbaron hipotekimi i pronave në jug, por një gjë është e sigurtë; ajo hartë do nxjerrë në dritë shumë konflikte të vjetra e të reja. Gjithmonë nëse proces nuk dështon për të tretën herë radhazi.