Kalldrëmet e Gjirokastrës rigjallërohen nga turistët e huaj, Golemi: 120 vetëm gjatë fundjavës
Rrugët e qytetit të gurtë të Gjirokastrës filluan të gjallërohen nga turistët vendas e të huaj në ditët e para të korrikut.
Gjatë fundjavës që lamë pas në Gjirokastër pati një numër të lartë vizitorësh, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar i turistëve, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha për ATSH-në se “vetëm në fundjavën që kaloi rreth 120 turistë të huaj vizituan qytetin tonë, ku veç turistëve nga Kosova e Maqedonia e Veriut, kemi edhe turistë nga Ukraina, Polonia e së fundi edhe nga Europa Perëndimore. Sot kishim edhe turistë gjermanë”.
“Gjatë vizitës në Gjirokastër ata vizituan Qafën e Pazarit, kalanë, si dhe vizituan muzetë e qytetit. Mëgjithëse ky sezon turistik nuk ka për të qenë si të tjerët për shkak të pandemisë, ne do të ringrihemi duke u mbështetur tek njëri-tjetri, sivjet fokusi është te turizmi patriotik”, – theksoi Golemi.
Sipas tij, Gjirokastra është një destinacion i pashmangshëm për të gjithë ata që i drejtohen jugut për të shijuar bregdetin.
“Prandaj i ftojmë të gjithë vizitorët vendas apo të huaj të shijojnë një eksperiencë unike dhe shikojnë nga afër atraksionet turistike të qytetit tonë”, – tha Golemi.
Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
Para transformimit të Pazarit të Vjetër në Gjirokastër ka plot 70 bujtina dhe mbi 10 hotele. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.