Referencë kyçe e itinerarit turistik/ Xhamia e Pazarit në Gjirokastër, rilindja e një monumenti të shkëlqyer kulture
Xhamia e Pazarit të Gjirokastrës e ndërtuar në vitin 1754-1755, pas rikonstruksionit të kryer për të nxjerrë në dritë vlerat e saj kulturore e artistike është kthyer në referencë kyçe të itinerarit turistik në qytetin e gurtë.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me pamje nga kjo xhami, punimet për restaurimin e të cilës përfshinë çatinë, tamburin dhe kupolën. Po ashtu punime u kryen edhe tek konsolidimi i themeleve, muratura, restaurimi i sallës së lutjeve, i pikturës murale.
“Mirëmëngjes dhe me këtë rilindje të një monumenti të shkëlqyer kulture në Gjirokastrën që rilind dita – ditës, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.
Xhamia e Pazarit, e quajtur ndryshe nga Evlia Çelebiu, diplomat dhe kronikan i perandorisë otomane si xhamia e Memi Beut, pas dekadash lënie në rrënim ka nxjerrë në dritë vlerat e saj kulturore e artistike duke u kthyer në referencë kyçe të itinerarit turistik në qytetin e gurtë.
Evlia Çelebiu e vizitoi Gjirokastrën më 1672. Të kësaj periudhe e përmend Çelebiu, Xhaminë e Pazarit.
Arkitektura e Xhamisë së Pazarit është e harmonizuar si nga ana arkitekturore, edhe nga volumi me dyqanet e Qafës së Pazarit.
Kjo ndërtesë datohet nga mbishkrimi ndërtimor në vitin 1754-55. Në vitin 1967, ajo është mbyllur për adhurim nga regjimi i kohës dhe është përdorur si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. Pas rrëzimit të regjimit në vitin 1991, xhamia është rihapur sërish për adhurim.
Xhamia është në formë kubike, e ndërtuar mbi një kornizë tetëkëndore. Çatia e kupolës kryesore është e mbuluar me gurë. Në anën e djathtë gjendet një tyrbe me çati tetëkëndore e mbuluar me gurë. Gjatë ndërtimit janë përdorur gurë gëlqeror të punuar me ngjyrë të bardhë dhe hiri. Arkitektura e kësaj xhamie përshtatet me arkitekturën e dyqaneve të çarshisë.
Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja, veç nënstrukturave që përmendëm. Salla e lutjeve është katrore në plan, me përmasa të brendësisë 8,85 x 8,95 dhe mbulohet me kupolë mbi trompa në qoshet.
Qyteti muze i Gjirokastrës është përfshirë në mbrojtje të UNESCO-s për arkitekturën e stilit osman të banesave dhe urbanistikës. Gjirokastra bën pjesë në mesin e qyteteve të rralla në Ballkan, të cilët kanë ruajtur këtë veçanti arkitekturale osmane.