Ju kujtohet Saranda e “Dy herë mat”? Atë dua unë!
Nga Fjorda Llukmani
Mendoja se qyteti bregdetar më i shkatërruar është Durrësi, deri sa vizitova Sarandën. Keq më vjen ta them që ky qytet mua nuk më ngjit fare, po fare. Kur isha rreth 6 vjeçe me familjen shkuam për pushime në Sarandë dhe me sa kujtoj kishte akoma hije pemësh poshtë tavolinave buzë detit. Në Ksamil gjithashtu kemi kaluar pushimet e para me motrën e sapolindur dhe shikoje gjelbërim kudo, jo ndërtesa që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Këta të babëziturit që kanë e s’dinë të bëjnë turizëm janë për të ardhur keq. Njeriu duhet të vuajë për lekë, jo për ide. Mjafton të hapësh Google e kopjo një ndërtesë të hairit nga jashtë shtetit, pse dreqin duhet të bëheshit të gjithë njësoj. Aq më tepër Sarandës nuk i falet që është qyteti më pranë Greqisë, e s’ka marrë fare shembull. Seriozisht habitem për çfarë arsye ndalojnë kroçerat në Portin e Sarandës gjatë verës.
Pas zhgënjimit që pësova nga qyteti i mbindërtuar në mënyrë skandaloze, vizitojmë Parkun Arkeologjik të Butrintit. Duke filluar nga 1 janari 2020 çmimet e çdo siti arkeologjik e muzeumi në Shqipëri janë rritur, gjë që për mendimin tim është gabim, po nejse.
Nga 700 lekë hyrja ishte bërë 1000. Përfitova ulje sepse kam kartë studenti, por të them të drejtën për xhep shqiptari 1000 lekë s’janë pak. Imagjino dikë që do të vijë për pushime me familjen, e thyen në mes një vizitë në Butrint. Postova në Instagram një story që këto çmime duhen ulur prapa sidomos pas krizës nga virusi. Pati goxha reagime nga njerëzit që më ndjekin dhe për çudi rreth 4 ditë më pas lexoj në lajmë që i kanë ulur çmimet përsëri. M’u bë qejfi shumë e shpresoj të kem ndihmuar sadopak me komentet e mia negative. Shqipëria ka nevojë më shumë për njerëz që reagojnë.
Butrinti, si një nga qytetërimet e zonat arkeologjike më të rëndësishme të Ballkanit duhet ta kishin mbajtur më mirë. Nuk do mend që 80% të pasurisë e kanë vjedhur anglezët e disa shqiptarë të shquar, por edhe këtë të shkretë që ka ngelur s’dinë ta mbajnë. S’ka aspak rrethime për njerëzit që mos të futen nëpër rrënoja. Çdokush mund t’i prekë e të shkelë mbi mozaikë apo shtyllat mijëra vjeçare. A thua se jemi në kënd lojërash e secili zgjedh të bëj ç’të dojë me trashëgiminë e ashtuquajtur kulturore.
Po ashtu për fëmijët vizita në Butrint nuk është aspak interesante sepse nuk ka një kënd që u referohet atyre ose ndonjë lloj informacioni zbavitës. Miqtë e mi të vegjël mezi po prisnin të largoheshin. Ju lutem merrni shembull nga pika e informacionit në Parkun e Divjakës që është e paparë që fëmijë e të rritur. U largova e mërzitur nga Butrinti, pa e ditur ç’më priste në Ksamil.
Në Ksamil shkoj zakonisht te plazhi i Pulëbardhave sepse aty më pëlqen, por tek ishujt bëhet nami. E shajnë kot Dhërmiun për çmime ku kushton 850 leke një linguini me fruta deti. Në Ksamil miq një linguini e njëjtë kushton 1100 lek. Nuk dua t’i bëj hesapet askujt sepse secili e di vetë sa i vendos çmimet e biznesit të tij. Unë si kliente jam e lirë të zgjedh e të shkoj aty ku më leverdis. Por këto çmime më duken tepër absurde, e të mendosh që ne shkuam jashtë sezonit turistik.
Le pastaj harroje krizën ekonomike që po kalon bota e minimalja që duhet të bënin bizneset është të ulej çmimi. Mos të harrojmë pa përmendur që në plazhin te Tre Ishujt në Ksamil, çadrat janë më ngjitur me njëra-tjetrën se askund tjetër. Një shfrytëzim hapësire e tillë që komshiu i çadrës ngjitur dëgjon qartas fare bisedën tënde, ose gabimisht të merr pijen pa dashje me idenë që është e tij.
O Zot, po si nuk ju dhimbset aspak Saranda?! Të isha unë dikushi, e kisha prishur të tërën e do e ndërtoja nga e para. Të paktën një ngjyrë dhe ndërtesa me pak kate, jo që i zënë frymën njëra-tjetrës e nuk sheh detin, atë për të cilën ke ardhur. Do të doja të ishte fiks siç ka qenë te filmi “Dy herë mat”.
Po tani nuk gjen asnjë qoshe që t’i ngjajë Sarandës së vjetër që kemi parë në film. Më duket se ky vend s’mban më njerëz që e duan tokën e tyre, biles janë të gatshëm të heqin dorë nga të qenit ‘shqiptarë’ vetëm për interesa monetare. Unë s’besoj të bëj ndonjëherë pushime në qytetin e Sarandës. Ndërsa nga ju që shkoni, pres të më tregoni pse ju pëlqen se mbase ndryshoj mendim…