FOTOT/ Zbulohet varreza në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë
Një tjetër tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) është zbuluar ditët e fundit në Himarë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi atë një zbulim të rëndësishëm për datimin e vendbanimit në qytetin e Himarës.
“Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste”, tha Margariti.
Ministrja u shpreh se “për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës”.
Sipas saj, tashmë materiali arkeologjik është zhvendosur në hapësirat e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.
“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vendosë mbi hapat e mëtejshme, që do të ndërmerren. Tashmë është radha e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, që ta çojnë më tej këtë zbulim të rëndësishëm”, tha Margariti.