Dy nismat e shoqërisë civile që po ndryshojnë Sarandën
Nga Brikena Metaj
Saranda në dy vitet e fundit është bërë pjesë e dy nismave të suksesshme iniciuar nga rreth 30 aktivistë nga e gjithë Shqipëria. Të rinjtë i ka bashkuar dashuria për ta parë qytetin e bukur dhe sa më larg betonit gri, ndërsa bashkëpunimi synon të shtrihet edhe më gjerë se Saranda.
E dini si ua kanë uruar historikisht mirëseardhjen miqve, sarandiotët? Nuk është asnjë nga ato që mund të mendoni. Sepse qyteti bregdetar ka zgjedhur historinë për të ndërtuar të ardhmen e vazhdueshme. Ai ka marrë një pjesë të bukur të së shkuarës, atë plot ngjyra e delikatesë dhe ka mbushur me të, kujtimet e brezave të tërë sarandiotësh që e kërkojnë me sy sapo shkelin në kufijtë e qytetit të lindjes. Ndërsa për shumë turistë e vizitorë ajo është veç një detaj që i shtohet veçantisë së qytetit.
E kam këtë ndjesi retrospektive sa herë shkoj në Sarandën e vendlindjes. Sado e transformuar të jetë, unë përpiqem të gjej mes realitetit të sotëm, gjurmët e pakta të së shkuarës, që në çdo rikthim duket kaq e afërt.
Dhe askush më mirë se “lule Pinoku” nuk m’i risjell nëpër mend. Më kujtohet kur të vegjël këpusnim pistakët e verdhë dhe i vendosnim në majë të hundës duke konkurruar kush e kush i mbante më gjatë. Më shumë se tre dekada më parë, kur unë isha ende në klasë fillore, qyteti ishte i mbushur me të bukurën lule Bukovile dhe prania e saj krahas oleandrave dukej diçka e zakonshme për qytetin.
Ndryshimi nisi më vonë, si kudo në Shqipëri, kur lulja e veçantë u shkul përdhunshëm për të mbjellë në vend të tyre ndërtesa betoni.
Bukovilja, lulja simbol e Sarandës.
“Mirë se vini në Sarandën tonë”, flet lulja simbol e saj. Sepse e thënë sarandiotçe, “Bukovilja” (Bouganville) simbolizon “mirëseardhjen”.
Ishte viti 1872 kur Naim Frashëri mbërrin në Sarandë si nëpunës i doganës së këtij qyteti ku jetoi dhe punoi për 5 vjet. Me vete ai solli edhe bukovilen. Lulja kacavjerrëse udhëtoi nga Turqia për t’u kacavjerrë për një shekull e gjysmë nëpër muret e qytetit bregdetar me të cilin sot identifikohet, duke u njohur si “Lulja e Sarandës”.
Vitet ‘90 sollën ndryshimet e mëdha në Shqipëri dhe Saranda është qyteti më i prekur nga këto ndryshime. Shumë shpejt vendin e luleve e zunë pallatet dhe bukovilja tradicionale shihej gjithnjë e më pak.
Një vit më parë, një grup aktivistësh, të bërë së bashku nga dëshira për të rigjetur Sarandën e fëmijërisë, dolën me një thirrje për të rikthyer në qytet lulet e dikurshme.
“A mund të kthejmë në Sarandën tonë të dashur lulen e Bukoviles (Bougavillies)?” Ishte kjo thirrje në rrjetet sociale e aktivistit Adriatik Lapaj, i cili iu drejtua ndjekësve të vet me këtë pyetje, pikënisja e të gjithë kësaj nisme, tregon Agustela Thoma, drejtuese ekzekutive e “Nisma e Luleve”.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe me përmasa të gjera. Kështu mori rrugë nisma “Dhuro një lule për Sarandën”. Shumë të rinj duke pasur imazhin e viteve të fëmijërisë së tyre bashkëshoqëruar me këtë lule të bukur Pinoku, reaguan duke u shprehur të gatshëm për të hedhur një hap më tej. “Prej viteve ‘90 e deri në ditët e sotme kjo lule ishte zhdukur e zëvendësuar nga ngjyra gri e betonit. Nevojitej një ndryshim i cili nuk mund të kryhej i vetëm. Kështu vazhdoi ideja duke u mbledh grupi i parë reagues prej gati 20 personash të cilët do të themelonin më pas dhe Nismën e Luleve. Rrjetet sociale janë një ndihmë e madhe sot për të bërë njerëz e mendje bashkë. Kështu u bëmë bashkë edhe ne”, thotë Agustela.
“Nisma e luleve”, iniciativa që po i rikthen Sarandës ngjyrat
Plot 750 bimë dekorative, përfshirë Bukovilet, Oleandrat, Lagerstroemia, etj janë mbjellë në harkun kohor të një viti në qytetin bregdetar duke përfshirë zona si hyrja e qytetit, bulevardi dhe spitali “Petro Nako”. Të gjitha këto me kontributet e vetë qytetarëve sarandiotë, rezidentë ose jo.
“Në fakt u prit më mirë nga sa ne menduam; sidomos të rinjtë e vendit dhe duhet cilësuar jo vetëm sarandiotët, por edhe dashamirës të qytetit tonë bregdetar. Si gjithmonë në fillim pati dhe disa skeptikë apo persona që dyshuan se kjo po bëhej për qëllime politike, por më vonë ndërruan mendje dhe përkrahën masivisht nismën. Lulet e mbjella në 2019-ën në bulevard janë të gjitha me kontribute të qytetarëve pa dallim feje, krahine apo ideje politike”, tregon në rrëfimin e saj për Porta Vendore, Agustela.
Reina është një vogëlushe 4 – vjeçare. Ajo u bë pjesë e nismës duke blerë një pemë të vogël që tashmë mban emrin e saj. Reina e vogël vjen pothuajse përditë në Plazhin e ri të qytetit, aty ku është mbjellë pema e saj, për ta vaditur atë.
Sarandiotët e përkrahën nismën në vazhdimësi. Janë të shumtë qytetarët që si Reina e vogël kujdesen për bimët e sapo mbjella. Agustela thotë se shpesh janë këta të fundit që sinjalizojnë nëse ka dëmtime në pemët apo lulet e mbjella.
“Ne përpiqemi vetë maksimalisht të korrigjojmë në kohë atë që nuk shkon dhe vlerësojmë edhe bashkëpunimin qytetar me mostregimin indiferent ndaj fenomenit”, thotë ajo.
Bashkia e Sarandës i ka dhënë mbështetjen e vet nismëtarëve të luleve, ndonëse këta të fundit kujdesen sistematikisht për bimët duke i vaditur dhe plehëruar, edhe pse janë ndeshur jo rrallëherë me vështirësi teknike në realizim, por siç thotë Agustela, e kanë ndier për detyrë përkujdesjen ndaj tyre.
Nga toka në det-Një nismë për pastrimin e ujërave të Jonit
Impakti pozitiv që pati nisma, nxiti dëshirën e nismëtarëve dhe vetë qytetarëve të Sarandës për të bërë diçka më shumë në ndihmë të qytetit. Ishte përfundimi i sezonit veror të 2019-ës kur Ergysit, zhytësit të grupit, i lindi ideja për pastrimin e fundit të detit.
“Në zhytjet e mia të rregullta e kisha parë ndotjen e madhe që kanë ujërat e bregut të Sarandës. Dhe gjithçka vijoi më pas lindi pikërisht nga kjo eksperiencë aspak e mirë”, tregon ai.
Zhytja e parë për pastrim ishte dhe pikënisja e identifikimit të problematikës së ndotjes nënujore me mijëra goma e shumë mbetje të tjera plastike.
Viti 2019 u mbyll me pesë aktivitete vullnetare të pastrimit me një bilanc prej rreth 550 gomash dhe 30,000 mbetje plastike (goma dhe kanaçe) te nxjerra nga fundi i detit ne Sarandë.
“Nën det mund të gjendeshin ende dhe 1500 goma të tjera dhe shumë mbetje plastike të cilat do të ishte urgjente për t’i pastruar. Në këtë nevojë, Nisma e cila ishte edhe e formalizuar, identifikon mundësinë e mbështetjes së Lëviz Albania. Duke evidentuar problematikën e papastërtive nënujore për tabanin e detit Jon, si dhe konfirmimin se nuk ka struktura te posaçme që merren me pastrimin e deteve, ne e kthyem këtë ide në një projekt që u shpall fitues mes 40 projekteve të tjera, dhe ne sot jemi duke punuar për të përmbushur këtë mision”, shpjegon Agustela zanafillën e nismës për pastrimin e bregut të Sarandës.
Gjatë aktiviteteve të këtij viti, Nisma ka nxjerrë rreth 180 goma dhe disa qindra kanaçe e mbetje plastike. Pastrimi do të përfshijë vijën bregdetare të Gjirit të Sarandës, deri në ishujt e Ksamilit.
Drejtoresha ekzekutive e nismës thotë se: “Objektivi është që gjiri i Sarandës të jetë totalisht i pastruar nga mbetjet shumëvjeçare, dhe të kërkohet nga strukturat shtetërore hartimi i ligjeve për struktura të cilat do të kujdesen për pastrimin e deteve dhe liqeneve njësoj si ato të tokës”.
Saranda është fillesa
‘Nisma e Luleve’ ka sot një grup prej rreth 30 anëtarësh nga e gjithë Shqipëria. Të rinj me origjinë nga Pogradeci, Dibra, Skrapari, Durrësi, Vlora, etj, janë bashkuar nën një frymë bashkëpunimi që synon të shtrihet edhe më gjerë se Saranda.
“Ne që në fillim kemi dashur ta fillojmë nga Saranda, pasi si themelues kryesor jemi nga ky qytet, por synimi është të krijojmë modelin i cili mund të gjej shtrirje edhe më gjerë. Ka disa qytete që kane filluar të ideojnë njësoj. “Dhuro një lule për Elbasanin” ka qenë një ide e vijuar si pasojë e nismës sonë”, thotë Agustela.
Qëllimi kryesor i nismës është nxitja e aktivizimit qytetar dhe angazhimi i tyre për të krijuar dhe për të ruajtur ambientin e përbashkët, krijimi i një modeli bashkëqeverisës midis qytetarit të thjeshtë dhe pushtetit lokal.
Agustela thotë se “ndihet nevoja e krijimit të një fryme se publikja duhet ruajtur njësoj nga të gjithë qytetarët, pasi pas viteve ‘90 ky koncept i ruajtjes së pronës publike është zbehur disi”, ndërsa shton se:
“Vihet re që njerëzit nuk kujdesen për pjesën jashtë portës së tyre siç kanë bërë dikur dhe kanë pritshmëri të larta, që kjo gjë të kryhet vetëm nga organet shtetërore. Nga ana tjetër, nëse do të ketë një angazhim aktiv edhe llogaridhënia e instancave shtetërore do të jetë më e madhe se në rastin e një qytetari indiferent. Ne kemi rastin konkret kur sapo vëmë re se pemët e mbjella nga nisma jonë kanë një dëmtim, njoftojmë menjëherë bashkinë që nuk ka nguruar të na përgjigjet me ruajtjen e tyre”, shton më tej Thoma.
“Nisma e luleve” ka gjetur mbështetjen, por edhe skepticizmin e qytetarëve. Si çdo sipërmarrje e re dhe ajo u përball me mungesën e besimit se mund t’ia dilnin mbarë, por rezultatet e dukshme dhe të shpejta duket se e thyen mentalitetin e ftohtë të skeptikëve dhe rritën ndërveprimin qytetar.
“Njerëzit kanë filluar të flasin për ne, kush me skepticizëm, kush me dashamirësi, por kjo tregon që ne kemi ndikuar sadopak edhe në sjelljen qytetare. Tashmë me gomat të gjithë janë të habitur nga niveli i ndotjes, kështu që janë përkrahës 100% të nismës sonë. Ne jemi të gëzuar dhe do të punojmë fort që të fusim një kulturë të re edhe në shkolla për ruajtjen dhe kujdesin e të përbashkët (lulet, pemët, detin)”, thotë Agustela.