Përfundimi i gjëndjes së fatkeqsisë natyrore, ish- deputeti Sarandës: Pa e rrëzuar këtë pushtet, fatkeqësia për shqiptarët do të vazhdojë pa fund
Ish deputeti i Sarandës, Kocco Kokëdhima, ka reaguar pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19.
Përmes një statusi në rrjetet sociale Kokëdhima shkruan se qeveria nuk e përdori gjendjen e fatkeqësisë për të ndihmuar shqiptarët, por për t’i vjedhur edhe më shumë.
Sipas tij, pa u larguar kjo qeveri fatkeqësia për shqiptarët do të vazhdojë pa fund edhe pas 23 qershorit.
“Sot është dita e fundit e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19, vendosur për herë të parë më 24 mars dhe shtyrë nga parlamenti deri më 23 qershor.
Izolimi më i egër i popullatës dhe ndërprerja e aktivitetit ekonomik, për të evituar katastrofën njerëzore në një vend pa sistem shëndetësor, ka lënë pasoja shkatërruese për ekonomitë familjare dhe dhjetra mijëra bizneseve.
Qeveria nuk e përdori gjendjen e fatkeqësisë për të ndihmuar shqiptarët, por për t’i vjedhur edhe më shumë. Ndihma e dhënë për qytetarët dhe bizneset ishte e pasur në propagandë dhe e mjerë në shifra.
Qeveria dha më pak se 10 për qind të borxheve dhe ndihmave që mori për të kaluar pandeminë dhe shumë më pak se çdo qeveri tjetër në rajon.
Ka marrë mbi 1,1 miliardë euro që nga fillimi i vitit 2020 dhe ka dhënë gjithsej vetëm rreth 110 milionë euro për familjet dhe bizneset.
Borxhi me shitjen e bonove të thesarit, huaja e FMN-së për mbështetje buxhetore, dhurata dhe huaja e Komisionit Europian, borxhi 650 milionë përmes lëshimit të eurobondit si dhe dhjetra milionë euro ndihma nga BE, SHBA, Zvicra, Suedia etj, u tretën si kripa në ujë dhe u bënë tendera urgjentë për klientët e qeverisë.
Qeveria për tre muaj mendoi vetëm si t’ia bënte me hile çdo shqiptari dhe biznesi të goditur nga bllokimi. Dha rreth 39 milionë euro për bizneset e vogla; 53 milionë euro për ish-punonjës të bizneseve të mëdha; 15 milionë euro për pagesat shtesë të papunësisë dhe ndihmës ekonomike, si dhe një ndihmë qesharake për familjet në nevojë.
Urdhri drejtuar bankave për të shtyrë tre muaj pagesat e kredive nuk pati vlerë; moratoriumi i qirave ishte një farsë; garancia sovrane ishte një dështim propagandistik, ndërsa qeveria nuk mori përsipër asnjë pagesë; kryeministri gënjeu kur mohoi se kishte premtuar në televizion pakon e tretë të ndihmës.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore për Shqipërinë po mbaron, por jo vetë fatkeqësia. Dëmet që ka sjellë qeverisja janë shumë herë më të rënda se pasojat e tërmetit dhe koronavirusit.
Faktikisht pushteti u ka vjedhur shqiptarëve përgjithmonë liritë njerëzore, politike dhe ekonomike. Pa e rrëzuar këtë pushtet, fatkeqësia për shqiptarët do të vazhdojë pa fund edhe pas 23 qershorit”, shkruan Kokëdhima. /Sarandanews.com/